Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur habitur me atë se çfarë po ndodh në gjykimin në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë në TV Klan, Haradinaj tha se po vërtetohet shqetësimi i tij kur disa vite më parë votuan ngritjen e Gjykatës Speciale në Kosovë.
“Në kohën e diskutimit për gjykatën, unë dhe AAK kemi besuar se nuk duhet të krijohet një gjykatë jashtë vendit. Ne ja kemi dhënë kësaj gjykate kompetencat. Kemi shprehur që gjykata duhet të bëhet në Kosovë që të ndjekë edhe serbë që kanë kryer krime lufte në Kosovë. Pikërisht atë kemi insistuar që të mos jetë njëetnike dhe të jetë në Kosovë. Po vërtetohet ai shqetësimi ynë i atëhershëm që do kemi situatë jashtëzakonisht të çuditshme”, ka thënë ai në Opinion.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK i duken të ekzagjeruara, Haradinaj shprehet se për 2 prej tyre është gjykuar edhe vetë ai dhe është shpallur i pafajshëm.
“Po. Gjithsesi se po. Në kohën tonë shumica e këtyre akuzave janë paraqitur në proces gjyqësor. Ka plot prej kësaj materie që janë trajtuar në rastin tonë. Kjo është në situatë mjaft e çuditshme një precedent i çuditshëm ligjor që po ndodh. Unë kam kaluar 8 vjet në këto procese. Në këto procese është vërtetuar se vija komanduese ka qenë e pamundur të vepronte”, theksoi Haradinaj.