Çështja e rastit “Negreira” ka marrë një kthesë të re pasi avokati spanjoll Juan Luis Martín de Pozuelo ka paraqitur një ankesë zyrtare ndaj Barcelonës në Komitetin e Etikës të Departamentit të Integritetit dhe Pajtueshmërisë pranë Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit.
Ky veprim synon të zgjerojë fushën e hetimeve, duke përfshirë jo vetëm aspektin penal, por edhe kornizat disiplinore dhe etike brenda organizatave të futbollit, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Ankesa bazohet gjithashtu në vendimin gjyqësor të datës 9 tetor 2023, të nxjerrë nga Gjykata Hetimore nr. 1 në Barcelonë, e cila vendosi që çështja duhet të vazhdojë, si dhe në rolin e luajtur nga Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit si palë në procedurë.
Bozuelo beson se nëse Federata konsiderohet palë e dëmtuar në procedimin penal, atëherë ajo duhet të ndërmarrë veprime edhe në kuadrin etik dhe disiplinor, dhe jo të kufizohet vetëm në procesin gjyqësor.
Avokati spanjoll synon t’i dërgojë të njëjtat dokumente edhe UEFA dhe FIFA, në përpjekje për ta ndërkombëtarizuar çështjen dhe për ta vënë atë nën vëzhgimin e autoriteteve më të larta të futbollit, duke argumentuar se ajo që ka ndodhur “minon integritetin e lojës dhe reputacionin e futbollit spanjoll”.
Ky hap, hap kështu një kapitull të ri në një nga çështjet më të debatueshme në historinë e futbollit spanjoll, ndërsa Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit pritet të vendosë nëse faktet e paraqitura në ankesë kërkojnë veprime të mëtejshme që mund të rindezin polemikat rreth marrëdhënies së Barcelona me Komitetin e Arbitrave gjatë dy dekadave të fundit./Express













































