Të premten në mbrëmje në Prizren është hapur edicioni i 22-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, i cili sivjet ka në qendër Inteligjencën Artificiale, por në esencë i dedikohet njeriut.
“DokuFesti” në përputhje me temën kryesore të festivalit “I AM AI AM I” ose “UNË JAM IA A JAM” në shqip, e cila synon të eksplorojë dhe të sjellë në diskutim mbi fenomenin e Inteligjencës Artificiale dhe lidhjes së saj me njerëzimin, ka vendosur ta dedikojë një pjesë të programimit të tij për zhanrin e filmit fantastiko-shkencor. Të dy filmat hapës dhe mbyllës do të jenë homazh për vetë zhanrin, si dhe për interpretimin e Inteligjencës Artificiale në vetë historinë e kinemasë. Filmi ikonik “2001: A Space Odyssey” nga regjisori legjendar Stanley Kubrick do ta hapë Festivalin sonte. Do të mbyllet me filmin po aq ikonik fantastiko-shkencor, “Blade Runner: Final Cut” nga Ridley Scott më 12 gusht.
Performancat muzikore kanë filluar qysh në hapje dhe do të zgjasin deri në natën e fundit të festivalit.
Në “DokuFest” do të ketë edhe aktivitete për të vegjlit.
Rreth 350 mysafirë janë ftuar në nëntë ditët e festivalit, ndërsa mbi 20 gazetarë janë nga mediat e huaja.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” është ngjarja më e madhe e filmit në Kosovë. Çdo vit festivali mbush kinematë dhe vendet e improvizuara të shfaqjes në qendrën historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmash nga e gjithë bota./Koha