Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se Kosova i ka hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.
Në një postim në orët e natës, Aliu tha se fluturimet për në perëndim dhe anasjelltas shkurtohen për së paku 15 minuta.
“Sapo u hapen zyrtarisht korridoret ajrore me Republikën e Shqipërisë.Fluturimet për në perëndim dhe anasjelltas shkurtohen për së paku 15 minuta. Nga 1 janari bashkatdhetarët përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka shkruar ai.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.
Nga një janari i vitit të ardhshëm Kosova bëhet pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më 19 prill në Parlamentin Evropian u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që shënoi edhe hapin e fundit të procesit të liberalizimit të vizave.