Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dërguar një mesazh të qartë drejtuesve të klubit në prag të sezonit të ri, duke hedhur poshtë mundësinë e largimeve të lojtarëve të rinj si Marc Casado dhe Fermin Lopez.
Gjatë verës, Fermin Lopez është përfolur për një transferim të mundshëm, ndërsa së fundmi edhe Marc Casado është lidhur me një largim, për të ndihmuar klubin që të lehtësojë problemet me kufirin e pagave. Për mesfushorin spanjoll kanë qarkulluar interesime nga West Ham, Wolves dhe Girona, por Flick e bëri të qartë se nuk e sheh këtë si një zgjidhje.
“Kam folur me të, por nuk mendoj se ai dëshiron të largohet nga klubi. Edhe unë dua që ai të qëndrojë këtu, sepse do të jetë një sezon i vështirë. Na duhet çdo lojtar. Ai na jep shumë siguri në skuadër. Nuk është e lehtë për lojtarët të gjejnë hapësira, por ky është futbolli. Do të na duhen të gjithë sepse kemi objektiva të mëdha,” tha Flick për Casado-n.
Edhe për Fermin Lopez, gjermani ishte i prerë:
“Nuk dua të humbas asnjë lojtar tani. Fermin po bën shumë mirë që nga sezoni i kaluar dhe jam i lumtur me të. Dua t’i mbaj të gjithë këtu, sepse jemi të kënaqur me opsionet që kemi.”
Megjithëse Flick është i vendosur të mbajë lojtarët, Barcelona ende përballet me probleme serioze financiare. Klubi nuk ka arritur të regjistrojë Gerard Martin, Roony Bardghji dhe Wojciech Szczesny për këtë sezon, ndërsa pritet të bëjë lëvizje me largime për të respektuar rregullat financiare të La Ligës.
Ndërkohë, shpresa se marrëveshja e qirasë së vendeve VIP do të stabilizojë gjendjen financiare po venitet gradualisht, duke e lënë Barcelonën në një situatë të ndërlikuar para fillimit të sezonit.