Achraf Hakimi do të jetë ish-i i madh i sfidës së Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Real Madrid, që do të luhet nesër. Marokeni ka dhënë një intervistë për “Marca” në prag të kësaj superndeshjeje:
“Do të jetë një ndeshje e bukur kundër një skuadre që e mbaj në zemër për gjithçka që më ka dhënë si njeri dhe si lojtar. Jemi gati, duhet të minimizojmë gabimet dhe të shfrytëzojmë pikat tona të forta.
Presion? Kam luajtur në kampionate dhe klube të mëdhenj, më pëlqejnë këto sfida. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe pritshmëritë janë të larta. Reali ka cilësi pa fund, por do të mundohemi të kontrollojmë lojën”.
Stabilitet tek PSG- “Ndihem në shtëpi. Njerëzit më kanë pritur mirë, ashtu si klubi dhe tifozët. Besuan tek unë, duke bërë sforcime të mëdha. Edhe trajneri më ka dhënë menjëherë besim, ashtu si shokët. Ndihem mirë dhe arrij të jap maksimumin”.
Stërvitja me yjet- “Të ndihmojnë, të bëjnë më të mirë. Kam fatin që të luaj me lojtarët më të mirë në çdo rol, çdo ditë mësoj diçka. Kush më ka habitur më shumë? Marco Verratti. Mbetesh i çuditur kur sheh Messi, Neymar dhe Mbappé, por të shohësh Verrattin në stërvitje është e pabesueshme. Ruan qetësinë edhe nën presion dhe është e pamundur ti marrësh topin”.
Fjalët e mira të Mbappé- “Kur të lavdërojnë lojtarët e mëdhenj është një kënaqësi e veçantë, sepse po i bën gjërat siç duhet. Paguhen gjithë ato vite sakrificë. Me të ndihem mirë, jemi marrë vesh menjëherë. I uroj më të mirat, të shohim se çfarë do të ndodhë. Është një vendim që i takon atij”.
Largimi nga Reali – “Erdhi si pasojë e mungesës së pjekurisë dhe besimit. Kur vjen nga skuadra e të rinjve është normale që klubi të mos besojë shumë tek ti. Më pas bëra 2 sezone të mira në Dortmund dhe duhet të vendosja se çfarë do të bëja, sepse Reali akoma nuk më merrte në konsideratë.
E dija që mund të luaja në nivele të larta. Kur më bleu Interi, Reali kishte mundësi të më kthente në Spanjë por nuk e bëri. Jam i lumtur që klubet e tjera të mëdha kanë besuar tek unë”.
Përballen dy sulme të frikshme-“Duket se emrat tanë janë më të mirë, por ata kanë një ushtri dhe nuk duhet ti konsiderojmë të humbur. Duhet ti respektojmë. Messi? Ka eksperiencë, një lojtar i tillë në skuadër është një avantazh, sepse të zgjidh ndeshjet në çdo moment”.