Kryeredaktori i portalit Telegrafi, Muhamet Hajrullahu, ka thënë kolegët e tij po synojnë të raportojnë në mënyrë profesionale nga veriu i Kosovës, por ka shprehur disa pakënaqësi në lidhje me mungesën e reagimeve të ndjeshme dhe të fuqishme nga ana e Kosovës ndaj sulmeve të ndodhura.
Ai ka theksuar se disa reagime ishin shumë diplomatike dhe mendon se duhet të ketë përgjigje edhe nga partitë politike dhe liderët e tyre, si dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, të cilat merren me median dhe marrin fonde dhe donacione.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar se edhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si OSBE-ja, duhet të jenë më aktive dhe të tregojnë hapur se gazetarët e të gjitha komuniteteve po pengohen gjatë raportimit.
“Kolegët tanë po synojnë të raportojnë në mënyre profesionale. Mua pak po më pengon që ka reagime shumë të pakta edhe të vobekta nga ana e Kosovës ndaj këtyre sulmeve. Sepse disa janë shumë diplomatike. Unë po mendoj që këto duhet të ketë reagime edhe nga partitë politike edhe liderët e partive politike. Edhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, që merren me media dhe përfitojnë fonde donacione duhet të jenë më të zëshëm. Organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si OSBE-ja, duhet të jenë më të zëshëm. Duhet ta thonë haptas që gazetarët e të gjitha komuniteteve po pengohen”, ka thënë ai.
Po ashtu, Hajrullahu në një intervistë për emisionin FIVE të RTV Dukagjini ka përmendur rastin e pronarit serb të një lokali, ku ishin të pranishëm gazetarë nga të gjitha mediat e terrenit në veri.
Ai ka theksuar se roli i mediave në këtë situatë është që të dalin përtej raportimit thjesht të lajmeve, duke siguruar informacione në kohë reale nga burime zyrtare.
Ndër të tjera, Hajrullahu ka thënë se nuk është e mundur të publikohen lajme për sulmet në pjesën veriore të Kosovës nëse nuk ka konfirmim zyrtar nga policia e Kosovës dhe personat kompetent për t’u diskutuar.
Sipas tij, roli i mediave është të shkojnë përtej lajmit dhe të sigurojnë kontekst dhe analizë në këtë situatë. /Dukagjini/