Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë as në oborret e shtëpisë e garazhet e tyre. Të tilla raste janë shumë të shpeshta dhe ndodhin shpesh edhe në parkingje publike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë gjatë natës në fshatin Samadrexhë të Suharekës, ku hajnat kanë arritur që të vjedhin një automjet nga oborri i një shtëpie dhe janë larguar pa lënë ndonjë gjurmë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar pronari i shtëpisë, i cili ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme e ka parkuar veturën e tij në oborr, por që nuk e ka gjetur aty në mëngjes.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur prova që mund të ndihmojnë në zbulimin e personave të dyshuar për rastin.
Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar të iniciohet rasti si “Vjedhje e rëndë,” teksa veprimet tjera do të ndërmerren posa të identifikohen të dyshuarit.