Hajdari: Afër 8 milionë euro investime në QKUK, lista e gjatë e pritjes si rezultat i mungesës së anesteziologëve

0
63

Që nga data 2 dhjetor, Klinika e Onkologjisë është duke punuar me dy ndërrime sa i përket dhënies së kimioterapisë. Ky vendim është marrë nga drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari.

Hajdari ka thënë për Ekonomia Online se hyrja në fuqi e vendimit për zgjatje të orarit është i mirëpritur nga pacientët, teksa ka thënë se kanë rritur edhe numrin e shtretërve.

Ai ka thënë se fokus kryesor kanë revidimin e listave të pritjes dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës në klinikat e QKUK-së, nga të cilat janë investuar afër 8 milionë euro.

“… e kam bindjen e plotë që pacientët do të jenë shumë më të kënaqur për shkak se nuk do të jenë nën stresin e asaj që të mbërrijnë me kohë për ta zënë një shtrat, ne kemi shtuar kapacitetet e shtretërve diku prej 50 deri në 110 por pavarësisht këtij numri të shtretërve përsëri numri i pacientëve që marrin kimioterapi e terapi Onkologjike është më i lartë se këto kapacitete andaj kalimi në orar të zgjatur është shumë më i mirë për pacientin por njëkohësisht ju jep kohë edhe stafit shëndetësor që t’i trajtojnë pacientët ndoshta edhe me një kohë më të gjatë për shkak të nevojave që ata kanë”, ka thënë tutje Hajdari, teksa ka folur edhe për shkurtimin e listave të pritjes të cilët në disa klinika kanë qenë disa vjeçare.

“Ne kemi bërë një revidim të listave apo një rifreskim të krejt listave të pritjes, dhe këto lista të pritjes nuk kanë qenë të proklamuara siç kanë qenë 4 vite në ortopedi apo 2 vite e sa në Kardiologji. Ka rënie të listës së pritjes por natyrisht me shtimin e kapaciteteve, investimet që janë bërë kryesisht në infrastrukturë në blloqet operative ka edhe ulje të pritjes. Ta zëmë në Klinikën e Urologjisë tash së shpejti nga java e kaluar në kemi filluar edhe me shërbimin e ESWL (për trajtimin e gurëve në veshka dhe sistemin urinar), ka qenë një listë e pritjes ta zëmë  me 110 pacientë, kemi shtuar edhe aty orarin nga ora 7 deri në orën 19 dhe ta zëmë që nëse janë trajtuar 3 ose 4 pacientë në baza ditore sot trajtohen 10 pacientë ditor”, ka deklaruar Hajdari.

“Vështirësi zakonisht te këto listat e pritjes edhe tek ndërhyrjet kanë qenë kryesisht çështja e anesteziologëve por konsiderojmë që bashkë me drejtorin e Anesteziologjisë jemi duke e bërë një plan të veprimit që të shfrytëzohen maksimalisht kapacitetet edhe në aspektin e Klinikës së Anesteziologjisë por njëkohësisht edhe sallat operative. Njëjtë do të veprohet në Ortopedi, atje kemi angazhim të jashtëzakonshëm të menaxhmentit të Ortopedisë dhe ka një stabilizim të ndërhyrjeve dhe rritjeve të ndërhyrjeve, kështu po vazhdojmë çdo klinikë”, ka thënë ai.

E për të ulur ndjeshëm numrin e pacientëve që kërkojnë shërbime në QKUK, Hajdari ka thënë se kanë shtuar kapacitetet në Spitalin e Prizrenit sa i përket ndërhyrjeve intervente në Kardiologji. Aty ky shërbim bëhet tri herë në javë.

“Sa i përket Kardiologjisë, së bashku me drejtorin e Kardiologjisë menaxhmentin e Spitalit të Prizrenit kemi shtuar kapacitetet në spitalin e Prizrenit sa i përket ndërhyrjeve interventeve në Kardiologji duke i bërë tre ditë, duke vazhduar pastaj me një plan të veprimit edhe në baza ditore me ndërhyrjen edhe në Prizren pasi që Spitali i Prizrenit tashmë ka zgjeruar kapacitetet e hapësirave ku pacientët pas ndërhyrjeve trajtohen, kështu që në disa fusha jemi duke bërë përpjekje që këto lista natyrisht të ulen por konsideroj që në masë të madhe të gjitha veprimet i kemi ndërmarrë, duke futur këtu edhe çështjen e zgjatjes së orarit me qëllim që pacientët tanë në nivel të Republikës së Kosovës të kenë shërbime sa më të mira dhe sa më të shpejta”, ka deklaruar Hajdari.

Drejtori i QKUK-së ka folur edhe për investimet që janë bërë në këtë institucion shëndetësor. Sipas tij, vlera e investimeve kryesisht në pajisje por edhe në infrastrukturës, kapin shifrën e afër 8 milionë euro.

“Njëkohësisht edhe me pajisjet e tjera të cilat arrijnë thuajse në këtë vit mbi 7-8 milionë euro investime kryesisht me pajisje, duke krijuar kushte shumë më të favorshme për vetë stafin shëndetësor e njëkohësisht duke rritur cilësinë edhe marrjen e shërbimeve duke mos referuar shumë në spitale private edhe duke kursyer buxhetin e shtetit në këtë rast”.

“Zakonisht ne jemi në finalizim e sipër, dikund në muajin dhjetor priten funksionalizimi i të gjithave pajisjeve natyrisht është një pako e trajnimeve e stafit çështja e barnave dhe ne konsiderojmë që fundi i vitit, eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm, faktikisht do të jetë i funksionalizuar edhe pse nuk e praktikojë shumë të lidhur për data por si do që të jetë d.m.th ne si pikë referues e kemi dhjetorin dhe pastaj nga viti i ardhshëm këto shërbime do të jenë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, u shpreh Hajdari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here