Erling Haaland është një nga sulmuesit më të dëshiruar nga klubet e mëdha në Evropë. Sulmuesi norvegjez i Borussia Dortmundit ka shumë propozime nga emra të rëndësishëm, përfshirë Barcelonën, Manchester City-t, Real Madridin dhe PSG-në. Në fakt, klubi që ka një avantazh të caktuar për të marrë shërbimet e sulmuesit norvegjez është City i Pep Guardiolës, që përveçse do t’i ofronte një kontratë që do t’i plotësonte kërkesat financiare Haalandit, do të ishte gjithashtu në gjendje t’i ofronte një projekt interesant sportiv.
Megjithatë, Barcelona nuk i ka humbur shpresat, do të bëjë gjithçka për ta bindur sulmuesin norvegjez. Pas takimit të Laportës me Mino Raiolën, menaxherin e sulmuesit, në Monako, vetë trajneri Xavi Hernandez shkoi në Mynih për të takuar lojtarin dhe për t’i shpjeguar se cili do të ishte roli i tij në skuadër.
Sipas faqes së internetit “Le10sport”, Haalandit i pëlqen ideja për të veshur fanellën “blaugrana”, por ai ka një kusht për të hedhur firmën: nënshkrimin e një kontrate me afat të shkurtër. Me këtë detaj, sulmuesi norvegjez synon të jetë në gjendje të rishikojë kushtet ekonomike, pasi klubi i Barçës të kapërcejë situatën delikate financiare./SS