Gucati: UÇK nuk lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia

0
42

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm para mijëra qytetarëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare të mbledhur sot në Hagë, për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta, e zhvilluar në parkun pranë muzeut Madurodam, jo larg godinës së Gjykatës Speciale, u hap me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij të Kosovës – simbol i unitetit dhe respektit për sakrificën kombëtare.

Gucati e nisi fjalimin me thirrjet: “UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”, duke ngritur atmosferën mes protestuesve.

Ai tha se kjo protestë përfaqëson zërin e dinjitetit të popullit shqiptar, një thirrje për drejtësi të mohuar dhe mbrojtje të historisë së shenjtë të UÇK-së.

“UÇK nuk lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia”, theksoi ai.

Gucati shtoi se liria nuk ishte një dhuratë, por u arrit përmes sakrificës së atyre që dhanë jetën për flamur dhe atdhe.

“Jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as para tankeve e as helikopterëve serbë. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik. Bota demokratike nuk mund të mbyllë sytë para një padrejtësie kaq të madhe”, deklaroi ai.

Në përmbyllje, ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos i trajtojë çlirimtarët si kriminelë, por si luftëtarë të lirisë dhe të drejtësisë.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, duke u përballur me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here