Guardiola urdhëron Cityn ta mbajë lart standardin

0
254

Pep Guardiola pret një rënie të nivelit në paraqitjet e Manchester Cityt, pasi skuadra e fitoi titullin e kampionit në Premier League. Por trajneri spanjoll të martën i ka kërkuar ekipit që ta mbajë lart standardin e lojës në prag të të dy finaleve që e presin – Kupës FA dhe Ligës së Kampionëve.

City, i cili siguroi titullin vikendin e shkuar, pasi Arsenali u mposht nga Nottingham Foresti, i ka 12 fitore rresht në elitën e futbollit anglez. Ka 88 pikë pas 36 ndeshjeve të zhvilluara, shtatë me shumë se Arsenali, ekip që ka një ndeshje më shumë të luajtur. Për Cityn është titulli i pestë në gjashtë vjet, ndërsa e festoi pas fitores ndaj Chelseat.

City të mërkurën mbrëma e luan ndeshjen e mbetur kampionale kundër Brightonit, për ta mbyllur edicionin të dielën në udhëtim te Brentfordi. City nuk e ka më fokusin në kampionatin anglez, pasi po bëhet gati për dy finalet që e presin. Skuadra mund ta sigurojnë tripletën këtë edicion. Fillimisht synon fitoren ndaj Manchester Unitedit në finalen e Kupës FA dhe pastaj triumfin kundër Interit në Champions. Finalja e Kupës FA luhet më 3 qershor në stadiumin “Wembley” në Londër, kurse ajo e Ligës së Kampionëve pas shtatë ditësh (10 qershor) në Stamboll të Turqisë.

Guardiola ka pranuar se City ka shpenzuar shumë energji duke e ndjekur Arsenalin, i cili ishte lider i Premier Leagues për një periudhë të gjatë. Ai e kupton këtë, por pret që lojtarët të jenë të fokusuar për dy ndeshjet më vendimtare të këtij edicioni – finalet.

“Ata duhet të jenë gati që të vrapojnë shumë. Mënyra më e mirë për t’u bërë gati për këto finale është që të jemi të koncentruar. Lojtarët janë ata që i kanë vendosur standardet dhe duhet ta mbajnë atë ritëm, ndonëse pres që në dy ndeshjet e fundit në kampionat të mos e shoh një gjë të tillë”, ka pranuar Guardiola. “Është normale që të bjerë ritmi, por ne duhet të përpiqemi ta luajmë lojën tonë, pasi si Brightoni, ashtu edhe Brentfordi mund të na lëndojnë. Këto dy ndeshje duhet t’i shfrytëzojmë që të jemi të gatshëm në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u përballur me Manchester Unitedin dhe pastaj me Interin”.

Guardiola ka shumë lojtarë në ekip dhe mund të bëjë ndryshime dhe rotacione të ndryshme si për Brightonin, ashtu edhe për Brentfordin. Edhe pse nuk ka dhënë detaje, Guardiola pritet t’i pushojë disa prej lojtarëve kryesorë. Një gjë të tillë ai e bëri edhe kundër Chelseat kur në formacion pati hiq më pak se nëntë ndryshime. Për herë të parë te City këtë edicion ishte titullar mesfushori Kalvin Phillips që iu bashkua Cityt verën e shkuar nga Leeds Unitedi. Sipas Guardiolës, të gjithë lojtarët duhet të japin kontributin e tyre në këtë edicion tejet të ngjeshur.

“Na pret Kupa FA dhe Liga e Kampionëve që janë ndeshjet ndoshta më të rëndësishme të edicionit. Duhet të japim gjithçka nga vetja për t’i fituar edhe këta trofe, për ta mbyllur një edicion të madh. Sigurisht se na duhet të shpenzojmë shumë energji”, tha Guardiola. “Të gjithë lojtarët mund të kenë ndikim, pasi nganjëherë edhe pesë minuta pushim janë shumë të rëndësishëm. Të gjithë kanë qenë të rëndësishëm këtë edicion dhe fakti që kemi arritur në këtë pikë do të thotë se të gjithë e kanë dhënë kontributin e tyre”.

City është në kërkim të trofeut të parë në Champions, ndërsa Guardiola nuk ka triumfuar në këtë garë që nga viti 2011./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here