Nuk ndryshon asgjë në garën për titullin kampion të Premier Leagues, me Manchester City-n dhe Liverpoolin që kanë nga një pikë më shumë, por një pikë diferencë mes tyre dhe fituesi do të vendoset nga duelet në distancë në 7 javët e fundit të kampionatit.
Finalja e parakohshme e kampionatit anglez, mes Manchester City-t dhe Liverpoolit në “Etihad Stadium”, u ngjit menjëherë në nivelin e pritshmërive, duke prodhuar plot 4 gola, raste të panumërta dhe ritëm të jashtëzakonshëm.
“Citizens” ishin më agresivë në fillim të ndeshjes dhe gjetën të parët avantazhin, teksa me pak fat mund të kishin shënuar edhe golin e dytë, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1 për vendasit.
45-minutëshi i dytë nisi vrullshëm për Liverpoolin, që barazoi për vetëm 46 sekonda me Sadio Mane dhe “flirtoi” në 3-4 raste me golin e avantazhit, ndërsa “citizens” u zgjuan pas minutës së 60’, por vetëm për ta bërë më interesante ndeshjen.
Vërshëllima finale e arbitrit Anthony Taylor la në fuqi barazimin 2-2, që jo vetëm nuk ndryshon asgjë në renditje, por as në bilancin e përballjeve Guardiola-Klopp, me dy trajnerët që kanë fituar nga 9 ndeshje secili dhe kanë barazuar 5 tashmë, në 23 sfidat direkte me njëri-tjetrin.
Manchester City – Liverpool 2-2 (De Bruyne 5′, Gabriel Jesus 36’/ Diogo Jota 13′, Mane 46′) ./SS