Në prag të sezonit të ri futbollistik, Pep Guardiola nuk i fshehu shqetësimet në lidhje me përgatitjet e Manchester City-t. “Qytetarët” aktualisht janë duke u stërvitur në Shtetet e Bashkuara dhe ende nuk kanë 13 lojtarë që do të jenë pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm:
“Do të jemi vonë, jo vetëm kundër Manchester United (në Superkupë), por edhe kundër Chelsea-t dhe Ipsëich gjithashtu (dy ndeshjet e para të Premier League-s).
Objektivi është të përpiqemi të mos humbim shumë pikë, të përpiqemi të konkurrojmë mirë. Nuk kemi lojtarë, sepse duhet të pushojnë”, tha trajneri spanjoll.
Guardiola kritikoi gjithashtu kalendarin dhe numrin e ndeshjeve gjatë gjithë sezonit:
“Nëse shefat e mëdhenj dhe të gjitha institucionet si FIFA, UEFA dhe Premier League nuk mendojnë për lojtarët, atëherë trajnerët duhet të mendojnë për ta, përndryshe ata vdesin. Është shumë. Kjo është arsyeja pse tri javë ose një muaj pushim janë të nevojshme, por konkurrenca ekziston dhe ne duhet të përshtatemi. Nuk ka zgjidhje dhe nuk do të ketë zgjidhje sepse nuk ka asnjë qëllim për të gjetur një zgjidhje.
Do të donim të kishim përgatitje adekuate, por është e pamundur sepse kombëtaret meritojnë të luajnë dhe të gjitha institucionet si FIFA dhe UEFA dhe garat lokale duan të mbrojnë produktin e tyre dhe të luajnë ndeshje”, përfundoi trajneri./SS