Rastet e vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të vjedhjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në tregun ‘Qylhan’ në Prizren, ku një grua ka harruar çantën e saj derisa po kryente blerjet e saj.
Sinjali mëson se 58-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi nuk ka arritur që ta gjejë çantën e saj në të cilën kishte sasi të konsiderueshme parash dhe gjërave tjera me vlerë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për rreth 7 mijë franga para të gatshme, stoli ari në vlerë të 9 mijë eurove, telefon e parfume të shtrenjta.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’.