Gripi, ç’është dhe si të mbrohemi

0
71

Gjatë periudhës nga Tetori deri në Maj, gjendjet gripoze janë më të shpeshta. Gripi është sëmundje ngjitëse prandaj edhe shkalla e këtyre infeksioneve është më e lartë tek fëmijët. Dr. Valbona Stavileci

Shenjat e sëmundjes mund të jenë nga një flamë e lehtë deri në një sëmundje shumë e rëndë me përfundime fatale.

Shenjat e sëmundjes mund të zgjasin nga disa ditë, deri në më shumë se një javë. Në rastet më të lehta shenjat janë ethe, kollë, tharje të fytit, rrjedhje e hundëve, nxënje e hundëve, dridhje të trupit, kokëdhimbje, dhimbje të muskujve dhe plogështi.

disa fëmijë mund të kenë barkqitje apo vjellje. Mund të ndërlikohet edhe me ndezje të mushkërive, ndezje të veshit dhe sinusëve paranazal. Tek fëmijët të cilët kanë edhe ndonjë sëmundje tjetër kronike, shenjat e sëmundjes janë shumë më të rënda dhe mund të manifestojnë këto ndërlikime.
Nëse shenjat e sëmundjes dhe temperatura zgjasin më shumë se tri ditë pa tendencë të përmirësimit atëherë konsiderojmë se është zhvilluar infeksion me formë më të qëndrueshme të virusit apo edhe ndërlikim dytësor me bakterie.
Shenjat e gripit të komplikuar janë: frymëzënie, mavijosje, kollë me sekret të përgjakur, dhëmbje e gjoksit, hipotension, konvulsione, humbje e vetëdijës, përgjumje e shprehur, humbje e lëngjeve.

Mbrojtja nga sëmundja

Mënyra më e mirë të mbrohemi nga gripi është vaksinimi. Kemi dy lloje vaksinash: e vdekur që jepet si injeksion dhe e gjallë e dobësuar që jepet si sprej nasal.
Fëmijët me sëmundje kronike (astma, diabeti, sëmundje të zemrës, sëmundje të veshkave) që janë të rrezikuar nga ndërklikimet serioze të gripit rekomandohet të marrin çdo vit vaksinën e gripit. Gjithashtu mund ta marrin fëmijët nga mosha 6 muajshe deri në 19 vjet.
Vaksinën nuk duhet ta marrin fëmijët më të vegjël se 6 muajsh, fëmijët që kanë alergji dhe fëmijët tashmë të sëmurë. Në këto raste rekomandohet vaksinimi i kujdestraëve të tyre që të pengohet kontakti me virusin e gripit.

Veprime tjera që duhet të ndërmarrim për t’u mbrojtur

• Të mbulojmë me faculetë letre gojën dhe hundën sa herë që teshtijmë dhe kollitemi. Dhe menjëherë pastaj ta hudhim atë faculetë.
• Të lajmë duart me ujë me sapun sa më shpesh. Mund të përdorim edhe dezinfektues me bazë alkooli për duar.
• Sa më pak të prekim me duar sytë, gojën dhe hundën.
• Irigim (shpërlarje) e hundëve dhe fytit me ujë pas çdo kontakti me persona të sëmurë nga gripi.
• T’i shmangemi kontakteve të afërta me njerëz të sëmurë.
• Nëse sëmuhemi rekomandohet që të pushojmë në shtëpi deri në 24 orë pasi na është larguar temperatura e lartë (>37.8 *C) dhe nëse temperatura mungon edhe pa veprim të barnave kundër temperaturës.
• Mos takoni miq deri sa jeni të sëmurë, që të mos përhapni sëmundjen.

Mbrojtja medikamentoze më e përdorur është me barna që ulin temperaturën, ndalin dhimbjet e trupit, lehtësojnë kollën. Kujdes! Aspirina nuk duhet përdorur tek fëmijët më të vegjël se 18 vjeç.
Barnat kundër viruseve mund të përdoren në mënyrë që të shkurtojnë kohën e sëmundjes, ta kalojmë sëmundjen më lehtë apo edhe t’i pengojmë ndërlikimet. Këto medikamente, që të kenë efikasitet, duhet të përdoren brenda dy ditëve të para të infeksionit. Meqenëse kanë edhe efektet e tyre dytësore këto rekomandohen vetëm për rastet e të sëmurëve shumë të rëndë, të hospitalizuar dhe të sëmurëve me sëmundje kronike të rënda.
Rekomandohet të pijmë sa më shumë fluide në mënyrë që të pengojmë dehidrimin (ujë, supa me lëngë mishi, pije sportive, pije me elektrolite për infantë).
Enët që i përdorim të pastrohen mirë.
Pasi t’i përdorim faculetat, duhet të hedhen dhe duart duhet të pastrohen mirë me ujë me sapun.

Kur duhet të kërkoni ndihmën emergjente

• Nëse fëmija i juaj ka frymëmarrje të shpejtuar apo vështirësi me frymëmarrje.
• Lëkurë të zbehtë apo hirtë.
• Nuk konsumon mjaft fluide.
• Ka vjellje të shumta dhe të vazhdueshme.
• Nuk ngrihet nga shtrati apo nuk është interaktiv.
• Është shumë i shqetësuar aq sa nuk dëshiron as të mbahet në dorë.
• Shenjat e gripit fillojnë të përmirësohen por prap përsëriten me temperaturë dhe me kollë më të përkeqësuar.

Te fëmijët më të rritur

• Vështirësi në frymëmarrje dhe frymarrje e shkurtuar.
• Dhimbje dhe tendosje në gjoks apo në bark.
• Ndenjë e mundimit (nauze) të papritur.
• Konfuzion.
• Vjellje e rëndë dhe perzistente.
• Shenjat e gripit përmisohen por prap përsëriten me temperaturë të lartë dhe kollitje më të përkeqësuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here