Emisari i Posaçëm i SHBA-së për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, duke kërkuar ndërprerjen e financimit për këtë institucion, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një postim në rrjetin social X, Grenell ka ndarë një postim të gazetarit Fitim Çeku, duke e shoqëruar me komentin “Ndalni fondet për këtë gjykatë! Është gjithçka politikë. Miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar”.
Në postimin e tij, Çeku ka publikuar pamje nga rrjeti social që tregojnë se Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale në Hagë, Kimberly West, si dhe prokurorja tjetër Silvia D’Ascoli, kanë pëlqyer një postim i cili fyente presidentin amerikan, Donald Trump.
Çeku ka shkruar se “Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale në Hagë, Kimberly West, ka pëlqyer një postim që fyente Presidentin Donald Trump. Përveç Prokurores së Përgjithshme, shihet se postimin që fyente Presidentin Trump e ka pëlqyer edhe prokurorja tjetër e Gjykatës Speciale në Hagë, Silvia D’Ascoli.
“Pra, është e qartë se në Hagë, në rastin e Thaçit, ekziston një frymë anti-Trump, dhe përndjekja ndaj Presidentit Thaçi po ndodh sepse Thaçi është pro-Trump”, ka shkruar Çeku.

