Granit Xhaka është shumë pranë një rikthimi befasues në futbollin anglez, por këtë herë jo me fanellën e Arsenalit por me atë të Sunderlandit, skuadrës që këtë sezon është rikthyer në Premier League, shkruan 04 Online.
Lajmi është dhënë ekskluzivisht nga gazetari i njohur i The Athletic, David Ornstein, sipas të cilit mesfushori i përfaqësueses së Zvicrës ka informuar Bayer Leverkusenin për dëshirën e tij që të transferohet te Sunderland dhe askund tjetër gjatë kësaj vere.
Sipas raportimeve, Xhaka ka arritur tashmë marrëveshje personale me klubin anglez, ndërkohë që negociatat mes dy klubeve janë në fazat përfundimtare. Vetë lojtari ka kërkuar nga Leverkuseni që të mbyllë sa më parë marrëveshjen./04 Online