Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për grabitjen e armatosur që ndodhi më 3 shkurt në rrugën “Durak Rada” në Prizren, ndërsa dje Policia e Kosovës ka arritur ta mbyllë rrethin e të dyshuarve.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin konfirmojnë se më 05.02.2026 rreth orës 16:00 është arrestuar edhe i dyshuari i katërt, V.S, i cili ishte në arrati që nga dita e ngjarjes.
Arrestimi është bërë në shtëpinë e tij, ku gjatë bastisjes janë gjetur rrobat që dyshohet se i kishte të veshura gjatë kryerjes së grabitjes. Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Kujtojmë se për këtë rast, Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht që në orët e para, duke publikuar detaje për grabitjen e kryer nga 4 persona të maskuar, të cilët nën kërcënimin e armëve u grabitën viktimave para në të holla.
Fillimisht ishin arrestuar tre të dyshuarit:
• Kastriot Krasniqi rreth 21 vjeç
• Shkodran Gashi rreth 21 vjeç
• Liridon Gashi rreth 37 vjeç
Gjatë operacionit policor ishin sekuestruar dy pistoleta (Zoraki dhe EKOL), maska, doreza, rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes, si dhe një veturë Golf VII.
Dy nga të dyshuarit kanë pranuar veprën penale gjatë intervistimit, ndërsa të gjithë tashmë ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh, teksa hetimet po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.
Rasti po trajtohet si “Grabitje” dhe “Mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa priten veprime të tjera procedurale nga Prokuroria./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














































