Goditet shitja e drogës në Ortakoll të Prizrenit – Sekuestrohen kokainë, marihuanë dhe prova për shpërndarje

0
78
Foto: Ilustrim

Një operacion i Njësisë së Antidrogës në Prizren ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, pas informatave operative që tregonin se i njëjti po mbante substanca të ndara në doza për tregtim, mëson ekskluzivisht Sinjali

Ngjarja ka ndodhur më 20.11.2025 rreth orës 08:40 në rrugën “Bajram Thaçi”, në lagjen Ortakoll të Prizrenit, ku është hasur i dyshuari Durim Mazreku, afër banesës së tij. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar dhe me pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, është realizuar kontroll i banesës në prani të avokatit dhe dëshmitarëve.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
• Substancë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, e ndarë në doza, me peshë 4.13 gram
• Substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, e ndarë në doza, me peshë totale 106.69 gram
• Një peshore elektronike
• Një telefon mobil
• Disa qese plastike për paketim
• Një fishek me kalibër të panjohur

Sipas vlerësimeve, vlera e tregut ilegal të kësaj sasie në doza sillet rreth 930 euro.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të shkruar të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga DHTN – Njësia në Prizren, ndërsa burimet janë të besueshme, nga strukturat e afërta me hetimin./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here