Gjyqtari Sallauka: Ligji për të drejtat e punëtorëve ekziston, por ka ngecje në zbatim

0
650

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për të drejtat e punëtorëve dhe rastet e vdekjeve në vendin e punës.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Lumni Sallauka, ka thënë se në Kosovë nuk mungon legjislacioni për trajtimin e këtyre rasteve, por sipas tij ka probleme në zbatimin dhe koordinim e institucioneve përkatëse që ligji të zbatohet ashtu siç duhet.

Ai ka përmendur disa nga rregullat që duhet të ndërmarrin punëdhënësit për t’u ofruar punëtorëve ambient më të sigurt.

“Çështjen e sigurisë dhe shëndetit në punë Kosova e ka të rregulluar në bazë të ligjit për siguri dhe shëndet në punë aty ka rregulla strikte çfarë rregulla duhet të ndërmarrin punëdhënësit. Çështja e krijimit e një ambienti të sigurt, e mjeteve të punës, trajnimit të punëtorëve se si ato mjete duhet t’i përdorin, nëse kemi të bëjmë me përdorimin e makinerive të rënda, ka detyrime më specifike për punëdhënësit, njoftimet duhet të jenë në formë të shkruar që njoftojnë punëtorët për rreziqet, kujdesin dhe kushtet tjera”- ka thënë tutje ai.

Ai ka folur për vonesën në hetimin e këtyre rasteve, përfshirë lëndët civile që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve në punë.

Sallauka teksa ka folur për prioritetin që duhet dhënë këtyre rasteve ka thënë se në Gjykatën e Apelit ka më shumë se 11 mijë lëndë civile në pritje.

“Në Gjykatën e Apelit, momentalisht me ankesë, lëndë civile janë 11 mijë e 300 lëndë kontestimore që janë në pritje, dhe janë diku 28 gjyqtarë, një analizë që është bërë thuhet që mos me pranu fare lëndë të reja në një periudhë 2-3 vjeçare, duhet kohë që këta gjyqtarë me i zgjidhë këto raste”-ka thënë ai.

Sipas tij, edhe kjo mund të jetë një arsye pse hetimi i këtyre rasteve që kanë të bëjnë më të drejta të punëtorëve mund të zgjatë.

“Sigurisht janë rrethana subjektive dhe objektive që gjyqtarët i pengojnë që t’i kryejnë këto lëndë në afatin sa më të shpejtë, mund të ketë që vonohen edhe më shumë”-ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket caktimit të dënimit, Sallahu ka thënë se është çështje e vlerësimit të rrethanave.

“Ligji i parasheh edhe minimumin edhe maksimumin e dënimit, është çështje e vlerësimit të rrethanave. Nëse ka të gjetura që ka elemente më shumë rënduese nga punëdhënësit sigurisht edhe dënimet do të duheshin të ishin konform atyre shkeljeve” – ka thënë ai./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here