Gjyqtari nga Prizreni, Mahir Tutuli, zgjedhet kryetar i Gjykatës Komerciale

0
1139

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 283-të, të mbajtur të mërkurën, ka zgjedhur gjyqtarin Mahir Tutuli, kryetar të Gjykatës Komerciale.

Zgjedhja e tij në këtë pozitë erdhi pasi i njëjti mori besimin e votave të anëtarëve të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë pozitë ka kandiduar edhe gjyqtari Ramiz Kuqi, mirëpo i njëjti nuk është propozuar nga Komisioni Vlerësues për votim në Këshill.

Për këta dy kandidatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 15 prill 2022 ka përfunduar intervistat.

Intervistat ishin zhvilluar nga Komisioni Vlerësues, i cili është në përbërje të kryetares së komisionit Teuta Ibrahimi dhe gjyqtarëve Drita Rexhaj dhe Avni Mehmeti, anëtarë të këtij komisioni.

Kryetarja e Komisionit, Teuta Ibrahimi ka elaboruar në pika të shkurtra raportin e vlerësimit për këta kandidatë. Sipas saj, gjyqtari Mahir Tutuli ka grumbulluar 87.6 pikë, ndërsa gjyqtari Ramiz Kuqi 80 pikë.

Ndryshe, KGJK në takimin e 279-të, të mbajtur me 4 mars 2022 kishte shpallur konkursin për kryetar të Gjykatës Komerciale, konkurs për të cilin kanë aplikuar vetëm kandidatët e lartcekur.

Sipas Ligjit për Gjykatën Komerciale, për të ushtruar funksionin e kryetarit të Gjykatës Komerciale, kandidati duhet të ketë së paku 5 vite përvojë pune si gjyqtar i shkallës së dytë.

Po ashtu, sipas këtij Ligji, shtesë ndaj kritereve të lartcekura KGJK-ja do të konsiderojë, shkathtësitë menaxheriale dhe vlerësimin e performancës së kandidatit për kryetar të Gjykatës Komerciale.

Mandati për këtë pozitë e kryetarit Tutuli është 5 vite dhe do të fillojë nga 21 marsi 2022.

“Betimi për Drejtësi” më poshtë sjell biografitë e gjyqtarit Mahir Tutuli, i cili tash e tutje do ta ushtrojë pozitën e të parit të Gjykatës Komerciale, biografi kjo e publikuara në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit.

Mahir Tutuli, është gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike. Gjyqtari Tutuli ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2003. Ai kreu provimin e Jurisprudencës në vitin 2005, ndërsa praktikën profesionale e mbajti në Odën e Avokatëve të Kosovës në vitin 2003. Tutuli, gjithashtu ka punuar edhe si shef i Zyrës Ligjore në “Kosovo Enteprise Programe – KEP” prej 2007 deri më 2008.

Ndërsa, më 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku dhe punoi deri më 31 dhjetor 2012. Në janar të 2013-ës, Tutuli u emërua gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pozitë të cilën e mbajti deri më 1 shtator 2015, kur edhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Ligji për Gjykatën Komerciale ka hyrë në fuqi më 25 shkurt 2022.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here