Gjyqtari i njohur i futbollit: Mos kërkoni perfeksion nga ne

0
69

Gjyqtari anglez i Premierligës, Anthony Taylor, ka folur hapur për herë të parë mbi abuzimet, presionin dhe pritshmërinë joreale ndaj arbitrave në futbollin modern, duke treguar se familja e tij nuk ndjek më asnjë ndeshje për shkak të ofendimeve që merr.

Në një intervistë për BBC Sport, 46-vjeçari ka rrëfyer përvojën traumatike që përjetoi pas finales së Europa League 2023, ku ai u sulmua verbalisht nga tifozët e Romës në aeroport, teksa udhëtonte me familjen e tij, pas ndeshjes që italianët humbën ndaj Sevillas pas penalltive.

“Ishte situata më e rëndë që kam përjetuar ndonjëherë në aspektin e abuzimit. Nuk bëhej fjalë vetëm për mua, por për ndikimin që kishte te familja ime. Edhe pse në atë ndeshje nuk kishte asnjë gabim serioz, njerëzit kërkonin dikë për ta fajësuar,” – tha Taylor.

Ai pranoi se sjellja e José Mourinhos, i cili e quajti “turp” pas finales dhe e konfrontoi në parking, ndikoi në sjelljen e tifozëve që e ofenduan. Portugezi u dënua më pas me katër ndeshje pezullim.

Taylor, që prej afro 15 vitesh është gjyqtar në Premierligë dhe ka gjykuar në Kupën e Botës 2022 e Euro 2020, theksoi se presioni i madh mediatik dhe kultura e “fitoreve me çdo kusht” po dëmton seriozisht shëndetin mendor të arbitrave, sidomos të atyre të rinj.

“Në çdo fundjavë, në çdo park në Mbretërinë e Bashkuar, mund të shohësh prindër që ofendojnë gjyqtarë të rinj. Si mund të zhvillohet dikush në një ambient të tillë? Kjo nuk është normale,” – theksoi ai.

Taylor u shpreh se nuk përdor rrjete sociale, pasi nuk dëshiron të lexojë komente negative që, sipas tij, “vetëm helmojnë atmosferën”.

Gjyqtari anglez kritikoi mënyrën si është perceptuar sistemi VAR në Premierligë, duke e quajtur “shkakun e një kulture të rreme perfeksioni”.

“VAR ka sjellë idenë se çdo vendim duhet të jetë i saktë 100 për qind. Në realitet, përsosmëria nuk ekziston. Një javë njerëzit ankohen se VAR ndërhyn shumë, javën tjetër pse nuk ndërhyri. Duhet të vendosim çfarë duam nga teknologjia.”

Taylor theksoi se presioni për të mos bërë asnjë gabim po e dëmton performancën e arbitrave, të cilët tashmë po jetojnë me frikën e dështimit.

Megjithë gjithë vështirësitë, Taylor e cilëson punën e tij si “njërën prej më të mirave në botë”.

“Je në qendër të aksionit në ligën më emocionuese në botë. Edhe pse është një profesion i vështirë, ndjenja që përjeton në fushë është unike,” – përfundoi ai.

Taylor, që javën tjetër mbush 47 vjeç, pritet të vazhdojë të gjykojë edhe një sezon tjetër në Premierligë, me synimin për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026 në SHBA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here