Gjykata obligon Qeverinë t’i faturojë serbët në veri, ndryshe shkel rëndë Kushtetutën

0
288

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka afat deri më 13 qershor të këtij viti që t’i pajisë konsumatorët e energjisë elektrike në veri me njësor dhe të bëjë faturimin, ndryshe rrezikon ta shkelë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit. Këtë detyrim ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës me anë të aktgjykimit të publikuar më 13 janar të këtij viti. Qeveria ka heshtur për këtë aktgjykim. Po ashtu edhe opozita.

Gjykata Kushtetuese ka obliguar Qeverinë e Kosovës që brenda gjashtë muajsh, t’i dërgojnë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike shtëpi për shtëpi në katër komuna në veri të vendit të banuara kryesisht me serbë.

Ndryshe do të bëjë shkelje të rëndë kushtetuese.

Gjykata ka vlerësuar se sovraniteti i Kosovës shtrihet edhe nëpërmjet faturimit dhe inkasimit në katër komunat veriore. Si pasojë, mos zbatimi i faturimit dhe mbledhjes së borxheve për shpenzimet e energjisë elektrike, e vë Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, përballë shkeljes së rëndë të Kushtetutës së Republikës.

Aktgjykimi është nxjerrë 28 dhjetorit 2021 dhe është publikuar më 13 janar të këtij viti bazuar në parashtresën e deputetes Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetëve tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr.08-R-01, të 6 majit 2021

Por, siç shihet nga mosreagimet në Kosovë, aktgjykimi nuk është lexuar as nga parashtruesi i kërkesës, në këtë rast, deputetja Blerta Deliu Kodra dhe nënshkruesit tjerë të parashtresës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata fillimisht sqaron se, objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e Aktit të kontestuar të Kuvendit, të 6 majit 2021, me të cilin: (i) është autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në pikën dy të aktgjykimit i publikuar më 13 janar të këtij viti.

“(ii) është obliguar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”, thuhet më tej.

Kjo, pikë jo vetëm që obligon Qeverinë e Kosovës të shtrijë sistemin, përkatësisht instalimin e njësorëve, por edhe faturimin e konsumatorëve. Ndryshe, Qeveria bën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht edhe të sovranitetit të vendit.

Pavarësisht se aktgjykimi është publikuar më shumë se një javë më parë, nuk ka pasur reagime as nga parashtruesi, e as nga Qeveria e Kosovës, e cila ngarkohet me obligime kushtetuese për shtrije dhe ruajtje të sovranitetit.

Në aktgjykimin e bazuar në pretendimet e Blerta Deliut – Kodrës dhe 12 deputetëve tjerë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Vendimi i Kuvendit të Kosovës i 6 majit për të paguar devijimet e KOSTT-it për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës nuk përbën shkelje kushtetuese. Por, se shkelja do të ndodhë në rast se Qeveria nuk e shtrin sovranitetin energjetik brenda gjashtë muajsh.

Kuvendi i Kosovës kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

“Gjykata më tej sqaron se, bazuar në dokumentacionin e pranuar nga palët e interesuara, si rezultat i mosfaturimit të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, humbjet e energjisë elektrike janë regjistruar ‘si devijim i Kosovës ndaj sistemit të Evropës Kontinentale’. Pas shfuqizimit të Vendimit të lartcekur të ZREE-së dhe deri në prill të vitit 2021, këto humbje, përkatësisht devijimet në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, janë mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka theksuar se si rezultat i mosfaturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër komunat e Republikës së Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në këto katër komuna, është regjistruar si devijim, shkruan Paparaci.

“Për pasojë, dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se nxjerrja e Aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, megjithatë, ky dallim në trajtim ka një ‘justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe rrjedhimisht, nuk rezulton në diskriminim, sepse (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ka ndjekur një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Gjykata më tej thekson me qëllim të balancimit të sistemit elekroenergjetik dhe mbulimit të devijimeve përkatëse për periudhën pasuese, siç është përcaktuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës dhe posaçërisht si rezultat i fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike, si trupë e Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, Ndërmarrja Publike KOSTT i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, përkatësisht, Komisionit Funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me kërkesën që, ndër tjerash, të sigurohen mjetet financiare për mbulimin e humbjeve në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, për periudhën prill – dhjetor 2021.

Trembëdhjetë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e autorizimit të nxjerrë nga Kuvendi për KOSTT-in për të paguar energjinë në veri si devijim.

Parashtruesit e kërkesës së pari pretendojnë se, përkundër faktit që Akti i kontestuar i Kuvendit është i titulluar “Rekomandime”, i njëjti është vendim i Kuvendit me pasoja juridike dhe rrjedhimisht, duhet t’i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë, siç është përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës.

Së dyti, Gjykata thekson në përmbledhje se parashtruesit e kërkesës pretendojnë se, Akti i kontestuar i Kuvendit është nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, si rezultat edhe i procedurës së ndjekur, por edhe përmbajtjes së tij. Përkitazi me procedurën, parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretendojnë se Akti i kontestuar i Kuvendit, është në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 65 të Kushtetutës, sepse është nxjerrë pa bazë ligjore, duke theksuar, ndër tjerash, se një vendim i tillë do të mund të merret vetëm përmes Ligjit për Buxhetin apo ndryshim/plotësimin e tij.

Gjykata po ashtu ka konstatuar se dallimet në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike në katër komunat e Republikës së Kosovës, ndjekin një “qëllim legjitim”. Kjo sepse, sipas Gjykatës Akti i kontestuar i Kuvendit ka për qëllim: (i) ushtrimin e sovranitetit në sistemin elektroenergjetik me të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara me Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E; (ii) ruajtjen e pavarësisë energjetike të Republikës së Kosovës; (iii) interesin publik në garantimin e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; (iv) interesin në ruajtjen dhe fuqizimin e statusit të KOSTT-it në mekanizmin ndërkombëtar, përkatësisht Marrëveshjen e Kyçjes me ENTOS-E, marrëveshje kjo që i ka mundësuar kësaj ndërmarrjeje që të operojë si Zonë e Pavarur Rregulluese brenda Bllokut-AK me Republikën e Shqipërisë në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale; (v) parandalimin e ndëshkimit financiar nga ENTSO-E, si rezultat i mos përmbushjes së zotimit për balancim në sistemin e rrjetit energjetik apo evitimin e devijimeve në sistemin e energjisë nga ana e KOSTT-it; si dhe (vi) ruajtjen e statusit të KOSTT-it në këtë mekanizëm dhe arritjen e tij si anëtar i barabartë me të gjithë operatorët e sistemeve të transmisionit në ENTSO-E.

Debati për shtrenjtimin e energjisë elektrike është intensifikuar pas propozimit të ZRRE-së dhe aprovimit të këtij propozimi nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Me këtë propozim pritet të dyfishohet çmimi i energjisë, duke u aplikuar tarifa ndëshkuese për ata që shpenzojnë mbi 600 megavatë energji në muaj.

Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.

“Shpresojmë që raportet përfundimtare të publikohen sapo ekspertët e ZRRE-së t’i analizojnë të gjitha të dhënat. Të gjitha palët do të njoftohen në kohën kur raportet do të bëhen publike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Kryeministri, Albin Kurti e ka arsyetuar shtrenjtimin, derisa opozita e ka kundërshtuar. Partitë opozitare të premten kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme që kjo çështje të diskutohet të hënën në një seancë të jashtëzakonshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here