Gjykata lë në paraburgim Beqën e Prizrenit që u arrestua për fajde

0
469
Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim që Beqir Hoxhës, i njohur si Beqa, t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Beqa u arrestua muajin e shkuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Fajdeja’, duke përfituar kundërligjshëm një shumë të majme të parave.

Beqa dyshohet se për 11 mijë euro, ka marrë me fajde hiç më pak se 78 mijë euro, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit dhe prindit të tij (tani i ndjerë) pasi të njëjtit ishin në gjendje të rëndë financiare.

“I pandehuri B.H., nga muaji qershor 2016 deri më datë 22.08.2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F.S., dhe prindit të tij në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar, fillimisht babai i të dëmtuarit, në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri B.H., shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore, i dëmtuari F.S., nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6,000 euro vazhdon të paguaj nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49,200 (dyzet e nëntë mijë e dyqind) euro,

I gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguaj shumat e kamatave, i dëmtuari F. më 18 shkurt 2018 merr nga i pandehuri B shumën e të hollave në vlerë prej 3,000 euro ndërsa në muajin mars nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2,000 euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 euro kamata mujore, i dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5,000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë të pandehurit shumën prej 29,000 (njëzetë e nëntë mijë) euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 (shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind) euro, kur i dëmtuari nuk arrin t’ i paguaj kamatat, i pandehuri  B.H., e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore, me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22.08.2023, i pandehuri merr 12,800 (dymbëdhjetë mijë e dyqind) euro dhe arrestohet në flagrancë.“, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndryshe, nga data baza e të dhënave policore rezulton se Beqa ka një të kaluar kriminale, ku i figurojnë së paku 9 vepra penale./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here