Gjykata e Prizrenit i ka shpallur të pafajshëm dy të pandehurit, Rifat Kalimashi dhe Bekim Hyseni për akuzën e mashtrimit.
Sipas Prokurorisë, Bekim Hyseni dhe Rifat Kalimashi akuzoheshin se në bashkëkryerje me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet, e mashtrojnë dhe e vënë në lajthim të dëmtuarin Mehmet Morina.
Një objekt afarist –ngastër kadastrale ½ në bashkëpronësi të Rifat Kalimashit dhe Mehmet Morinës që ishte në hipotekë, sipas Prokurorisë u ble kundërligjshëm në ankand publik nga Bekim Hyseni.
Sipas Ligjit të procedurës përmbarimore, Rifat Kalimashi nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në ankand publik, i njëjti – Rifat Kalimashi i transferon 352 mijë euro Bekim Hysenit që ta blejë paluajtshmërinë.
Pasi bëhet pronar Bekim Hyseni, sipas aktakuzës me anë të kontratës fiktive ia shet paluajtshmërinë përsëri Rifat Kalimashit.
Me këtë sipas Prokurorisë të pandehurit i shkaktojnë dëm material në shkallë të madhe të dëmtuarit, Mehmet Morinës.
Në lidhje me këto akuza, Gjykata e Prizrenit ka marr vendim lirues pasi nuk është vërtetuar se Rifat Kalimashi dhe Bekim Hyseni në zyrën e përmbaruesit privat Enis Hoxha kanë kryer veprën penale të mashtrimit.
Gjykata nuk ka mundur të vërtetojë se pjesëmarrja në ankand publik nga i pandehuri Bekim Hyseni –fitues i ankandit publik dhe Rifat Kalimashi-i cili i ka dhënë hua të pandehurit Bekim janë veprime të kundërligjshme.
Sipas gjykatës, ankandi është publik dhe në të mund të marr pjesë çdo qytetar që i plotëson kushtet.
Ndërkaq, sipas këtij vendimi huazimi i të hollave nga Bekim Hyseni për pagesën e këtij ankandi nga Rifat Kalimashi nuk është i ndaluar me ligj.
Nga administrimi i provave Gjykata nuk ka mundur të vërtetojë veprimet e të akuzuarve ngase ankandi është iniciuar në bazë të kontratës së hipotekës së Lekë Shalës, dhe jo të pandehurve.
“Gjykata pas administrimit të provave dhe analizës së provave gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk mundi ta vërtetojë fajësinë e të pandehurve Bekim Hyseni dhe Rifat Kalimashi pasi nuk është provuar me asnjë provë relevante dhe bindëse. Të akuzuarit i liroi nga akuza dhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi pasi nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit formohen elementet e veprës penale në bazë të aktakuzës”-thuhet në arsyetim.
Aktgjykimi është marrë nga gjykatësja, Vjollca Buzhala.
Bazuar në këto fakte, i dëmtuari Mehmet Morina u udhëzua që kthimin e borxhit mund ta kërkojë në kontest civil.
Sipas aktakuzës më datë 17 dhjetor 2018, në Prizren në zyrën e përmbaruesit privat Enis Hoxha, të pandehurit Bekim Hysni dhe Rifat Kalimashi në bashkëkryerje me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet relevante e mashtrojnë dhe e vejnë në lajthim të dëmtuarin Mehmet Morina.
Aktakuza thotë se të pandehurit paraprakisht merren vesh në lidhje me pjesëmarrjen në ankand publik, ku i pandehuri Bekim Hyseni me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurin Rifat Kalimashi merr pjesë në ankandin publik në atë mënyrë që pasi Rifat Kalimashi ishte bashkëpronarë me të dëmtuarin Mehmet Morina për patundshmërinë në pjesën ideale të ½ në sipërfaqen prej 825m2 e cila gjendet në Arbanë e cila patundshmëri ishte në hipotekë.
Sipas dosjes Rifat Kalimashi në bazë të Ligjit për procedurën përmbarimore nuk kishte të drejtë të merr pjesë në ankandin publik për shitjen e paluajtshmërisë së lartcekur, merret vesh me Bekim Hysenin që me parat e Rifat Kalimashit të hyjë në ankand publikë dhe e blen paluajtshmërinë e lartcekur në vlerë 352.000.00 euro ku Bekim Hyseni bëhet pronarë i patundshmërisë.
Sipas Prokurorisë më vonë me kontratën e datës 14 korrik 2022, të legalizuar, i pandehuri Bekim Hyseni ia shet paluajtshmërinë e lartcekur të pandehurit Rifat Kalimashi me arsyetim se parat që i ishin dhënë nga i pandehuri Rifat Kalimashi për Bekim Hysenin për të marrë pjesë në ankand e që ishin të deponuara në xhirollogarinë e të pandehurit Bekim Hyseni me datë 22 shkurt 2019 dhe 25 shkurt 2019, me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material në shkallë të madhe.
Me këtë sipas akuzës të pandehurit kishin për të kryer veprën penale të mashtrimit.
Rasti është me ankesë në shkallën e dytë ku Gjykata e Apelit pritet të marr vendim.