Një studim i ri ka zbuluar se gjumi i thellë funksionon si një “lavatriçe” për trurin, duke pastruar mbetjet që akumulohen gjatë ditës, shkruan 04 Online.
Sistemi glifatik i trurit, që përfshin qarkullimin e lëngjeve për të eliminuar toksinat, luan një rol kyç në këtë proces, përfshirë pastrimin e proteinave që lidhen me çrregullime neurologjike si Alzheimeri.
Studimi ka zbuluar se molekula norepinefrinë është e rëndësishme për këtë proces pastrimi, pasi gjatë gjumit të thellë ajo nxit kontraktime ritmike të enëve të gjakut, që ndihmojnë në largimin e mbetjeve. Megjithatë, përdorimi i ilaçeve për gjumë, si zolpidemi, mund të zvogëlojë aktivitetin e norepinefrinës dhe të pengojë pastrimin, duke rritur rrezikun e çrregullimeve neurologjike.
Ky studim thekson rëndësinë e gjumit natyror dhe cilësor për shëndetin e trurit./04 Online