Një rast serioz i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm është zbardhur nga Policia e Kosovës në fshatin Kushnin Has të Prizrenit, ku për festën e Vitit të Ri janë përdorur armë zjarri, përfshirë edhe nga një i mitur.
Sipas informatave që ka pranuar Sinjali, rasti ka dalë në dritë pasi në rrjete sociale është publikuar një video-incizim ku shihet një i mitur duke shkrepur me armë zjarri. Pas këtij publikimi, njësiti i hetimeve ka identifikuar personat e përfshirë dhe ka realizuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarve.
Gjatë veprimeve policore, janë identifikuar dhe intervistuar tre persona: Jahë Morina, 71 vjeç, E.M, 15 vjeç – i mitur, dhe Elvir Morina, 22 vjeç.
Të dyshuarit kanë pranuar se gjatë natës së Vitit të Ri kanë shtënë me armë zjarri. Nga shtëpia është sekuestruar një pistoletë HS, me dy karikatorë dhe 36 fishekë, për të cilën rezulton se kishte leje në emër të Jahë Morinës. Në vendin e ngjarjes, krim-teknika ka gjetur dhe sekuestruar 41 gëzhoja, ndërsa më pas është konstatuar se bëhet fjalë për dy lloje të ndryshme gëzhojash, çka ka çuar në identifikimin e personit të tretë.
Si rezultat i hetimeve shtesë, është identifikuar edhe Elvir Morina (2003), i cili ka pranuar se ka shtënë me armë dhe ka dorëzuar vullnetarisht një pistoletë Zoraki 917-T, kalibër 9 mm, me një karikator pa fishekë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit: Jahë Morina, afro 71 vjeçar, është ndaluar për 48 orë, i mituri E.M., afrp 15 vjecar, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa Elvir Morina, afrp 22 vjeçar, është liruar në procedurë të rregullt pas dorëzimit të armës.
Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e ngjarjes./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














































