Gjimshiti e tremb Kombëtaren, kapiteni kuqezi nuk stërvitet me skuadrën

0
67

Nuk u pa mes shokëve. Atalanta e zhvilloi si normalisht seancën e fundit stërvitore përpara sfidës së Championsit ndaj Bayernit, por Berat Gjimshiti nuk ishte në fushën e qendrës stërvitore.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare ndjeu probleme muskulore dhe stafi mjekësor e trajneri Paladino vendosën që ai të kryente ushtrime në palestër, veç nga të tjerët.

Nuk dihet nëse mbrojtësi 33-vjeçar do të jetë në dispozicion të bergamaskëve sonte në mbrëmje në “Alianc Arenën” e Mynihut, ndonëse mediat italiane parashikojnë që ai ta nisë ndeshjen nga stoli.

Gjithsesi, fakti që nuk u stërvit me skuadrën është shqetësues. Gjimshiti u duk jashtë forme edhe në ndeshjen që Atalanta e barazoi 1-1 në fushën e Interit, duke qenë me vonesë në disa prej aksioneve të zikaltërve.

Pritet të shihet gjendja e tij, ndërsa pas 8 ditësh kombëtarja do të luajë ndeshjen e jetës, gjysmëfinalen e play-off të Kupës së Botës në Varshavë ndaj Polonisë.

Sa për Atalantën, me apo pa Gjimshitin, ndeshja e sotme në Gjermani është thjesht një formalitet.

Bayerni fitoi 6-1 duelin e parë të raundit të dytë të Championsit në Bergamo, duke treguar diferencën e jashtëzakonshme në klas dhe përvojë me italianët.

Bavarezët gjithsesi e kanë një problem, atë të portierit, shkruan abcnews.

Të katër gardianët e ekipit janë të dëmtuar, diçka që nuk besohet se ka ndodhur ndonjëherë më parë, ndërsa trajneri Vinsent Kompani do të duhet të zgjedhë mes portierëve Janis Bertl nga Bayerni II apo Leonard Preskotit të Bayernit U19.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here