Juventusi kërkon një qendërmbrojtës në merkaton e janarit, duke parë problemet e mëdha që kanë në prapavijë me lojtarët e dëmtuar.
Në mediat italiane kanë qarkulluar emra të ndryshëm, dhe një prej profileve që ndiqet me interes nga bardhezinjtë, është edhe Ardian Ismajli, i cili po kalon një formë të shkëlqyer në Serunë A me Empolin.
Drejtori sportiv i Juventusit, Kristiano Xhuntoli, sot ka folur para gazetarëve edhe për temën e afrimeve në qendër të mbrojtjes gjatë merkatos së janarit, përcjell PanoramaSport.
Gazetarë e pyetën nëse profili i duhur ishte ai i Milan Skrinjar, i cili nuk po gjen hapësira te PSG dhe do të kthehej me shumë dëshirë në Itali.
“Në këtë moment po shohim rreth e rrotull, e dimë që merkatoja e janarit është shumë e veçantë, gjërat mund të ndryshojnë vazhdimisht. Ne jemi në dritare, vlerësojmë situata, por nuk është një para të tjerave. Diskutimet janë ende shumë të parakohshme. Duhet të jetë një djalosh që vë veten në dispozicion dhe i gatshëm që të vihet në diskutim për t’u bërë pjesë e një skuadre të rëndësishme si Juventusi”, tha Xhuntoli, duke bërë të qartë se kushdo që të vinte nuk e kishte vendin të garantuar.