Gjermania kërkon përshpejtim të procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas ambasadorit gjerman, Joern Rohde, indikator për këtë duhet të jetë fakti që nuk ka entuziazëm për të pranuar në Bashkim Evropian vendet që nuk kanë marrëdhënie të mira fqinjësore, raporton Gazeta Sinjali.
Rohde ka folur për pritshmëritë në raundin e ri të dialogut gjatë këtij viti, duke thënë se do të ishte mirë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të takohen drejtpërdrejtë për të përshpejtuar procesin.
Ai është shprehur i prerë se ka nevojë për një zgjidhje, për siç thotë, të mirën e popullatës së përgjithshme.
“Pamë regjistrimin masiv të targave RKS, pamë zbatimin e marrëveshjes energjetike dhe se pas 25 vitesh faturat e energjisë elektrike do të paguhen në një të ardhme të afërt. Kemi parë interesim të shtuar edhe për pasaportat e Kosovës. Ne duam të shohim një përshpejtim të dialogut. Tani ka pasur takime këtë javë në margjinat e takimit në Davos, e di që ishte kryeministri i Kosovës Kurti, ishte presidenti Vuçiq, por do të kisha dashur më shumë takime të drejtpërdrejta, në vend të një pale të tretë. Do të ishte mirë që përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë të takoheshin drejtpërdrejt për të përshpejtuar procesin sepse ne kemi nevojë për një zgjidhje, veçanërisht për të mirën e popullatës së përgjithshme”, ka thënë Rohde për Kosovo Online.
Sa i përket rolit të Gjermanisë në dialog, Rohde ka thënë se e mbështesin plotësisht të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
I njëjti është shprehur se janë një nga protagonistët kryesorë që mbështesin Kosovën dhe Serbinë, si dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE.