Gjermania kërkon heqjen e menjëhershme të barrikadave ilegale në veri

0
241

Pas javësh përshkallëzimi, Ministria e Jashtme gjermane në një deklaratë për gazetën austriake “Der Standard” kërkon që “barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat paraqesin edhe rrezik sigurie, duhet të çmontohen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale shtoi: “Jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës”.

Gazeta austriake shkruan se “javët e fundit, serbët militantë nacionalistë kanë ngritur barrikada në rrugë në veri të Kosovës. Ndër të tjera ata po protestojnë kundër arrestimit të një punonjësi policie që dyshohet se ka sulmuar një qendër votimi. Të enjten pati edhe një demonstratë në veri të Kosovës, ku u shfaq një flamur i madh serb”.

“Ata serbë militantë nacionalistë që ngritën barrikadat dhe organizuan demonstratën i përkasin mbështetësve të partisë Lista Serbe, e cila është drejtpërdrejt nën kontrollin e qeverisë në Serbi. Ajo vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës dhe monopolin e Kosovës për përdorimin e forcës në veri të vendit”, shkruan më tej kjo gazetë, transmeton Klankosova.tv.

Sulm në Twitter ndaj ambasadorit gjerman

Javët e fundit, në veri të Kosovës, ku jetojnë shumë serbë, ka pasur dhunë të përsëritur ndaj përfaqësuesve të institucioneve kosovare, por edhe ndaj gazetarëve. Është intensifikuar edhe retorika nga Beogradi.

“Der Standard” shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçiq madje mendoi të dërgonte personel ushtarak në Kosovë.

“Dhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka sulmuar në Twitter ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Më parë ai kishte bërë thirrje për çmontimin e barrikadave, të cilat po ashtu kanë penguar trafikun rrugor prej javësh”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha për STANDARD se Rohde kishte bërë një deklaratë të qartë dhe “i bëri thirrje edhe një herë Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE”.

Këto çështje u diskutuan në takimet ndërmjet Komisionerit të Ministrisë së Jashtme Federale për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorit serb në Berlin më 21 dhjetor dhe ambasadorit gjerman në Serbi me presidentin serb Vuçiq në Beograd më 22 dhjetor.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane shtoi: “Ne presim një qasje konstruktive nga Serbia. Këtë e kemi bërë të qartë në këto diskutime. Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të kthehen sa më shpejt në institucionet kosovare. Kjo është në interes të njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë të vendosë në agjendë zbatimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë shën.red) Serbe të rënë dakord në vitin 2013 dhe 2015. Ne mbështesim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij për të bërë përfundimisht përparim në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet dy vendet në kuadër të dialogut”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here