Pas pushtimit rus në provincat lindore të Ukrainës, qeveria gjermane të martën pezulloi procesin e dhënies së lejes për funksionimin e gazsjellësit Nord Stream II. “Deri në një njoftim tjetër, qeveria gjermane po pezullon procesin e dhënies së lejes për funksionimin e gazsjellësit Nord Stream II”, raporton agjencia gjermane DPA, duke cituar burime qeveritare.
“Për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ruso-ukrainas, qeveria gjermane po ndalon procesin e miratimit të Nord Stream 2”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz, transmeton Tagesspiegel.
Projekti Nord Stream II ka përfunduar, por është në pritje të një lejes së përdorimit pasi autoritetet gjermane kërkuan ndryshime në strukturën e pronësisë së gazsjellësit. Sipas ligjit të BE-së, një furnizues nuk duhet të jetë pronar i një gazsjellësi në të njëjtën kohë, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Pas pushtimit rus të pjesëve të Ukrainës, brenda qeverisë gjermane, ka thirrje në rritje për të ndaluar projektin e gazsjellësit Nord Stream II, i cili supozohet të dërgojë gazin rus direkt në Gjermani dhe që aktualisht është në pritje të një leje përdorimi.
“Duhet ta ndalojmë menjëherë këtë projekt”
“Ne duhet ta ndalojmë këtë projekt menjëherë. Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi ynë dhe asgjë nuk ka ndryshuar për këtë,” tha Ministri i Bujqësisë nga Partia e Gjelbër Cem Oezdemir në një intervistë për Deutschlandfunk.
Oezdemir tha se ai beson se pushtimi rus në provincat lindore të Ukrainës ka dhënë një moment për të diskutuar mbylljen përfundimtare të projektit brenda koalicionit të qeverisë Socialdemokrate-Gjelbër-Liberale.
“Ne duhet të biem dakord për këtë së bashku brenda qeverisë. Shpresoj që partnerët tanë të koalicionit të kenë të njëjtin mendim për këtë çështje. Më së voni ka ardhur koha që të ndalojmë projektin dhe të themi t’i drejtohemi energjisë së rinovueshme”, tha një nga Drejtuesit e partisë së gjelbër. Ai tha se “varësia energjetike e Gjermanisë” nga regjimet autoritare si ai në Rusi “duhet të ndalet”.
Të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Gjermanisë të anulojë urgjentisht projektin Nord Stream II.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha kohët e fundit se një pushtim i Ukrainës do të hapte mundësinë e nisjes së të gjitha sanksioneve të disponueshme, por nuk e përmendi në mënyrë eksplicite Nord Stream II. Tani, pas takimit me kryeministrin irlandez Michael Martin, ai gjithashtu ka konfirmuar ndalimin e projektit.
Rusia: Do të vazhdojmë furnizimin me gaz të tregjeve botërore
Rusia do të vazhdojë të furnizojë pa ndërprerje tregjet botërore të gazit natyror, shkroi presidenti rus Vladimir Putin më herët sot në një letër drejtuar Konferencës së Energjisë në Doha.
Fjalët erdhën në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë synojnë të shpallin sanksione të reja ndaj Rusisë pasi presidenti Putin njohu dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore. /Reporteri