Shteti gjerman i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të bëjnë pranimin formal të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 27 shkurtit.
Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann, tha sot se progresi drejt një normalizimi të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë.
Ajo tha se propozimi evropian, i cili bazohet në një iniciativë gjermano-franceze, është një mundësi unike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.
“Pranimi i propozimit do të përmirësonte rrënjësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet midis vendeve. Mund të nxisë procesin e normalizimit në interes të qytetarëve të tyre. Ai do të largonte pengesat në rrugën drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dhe sigurisht që do të ishte një nxitje politike dhe ekonomike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili po frenohet nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjithë anëtarët e BE-së shpresojnë që Serbia dhe Kosova ta shfrytëzojnë këtë shans historik dhe unik. Evropa po e përqafon rajonin si kurrë më parë: krahët tanë janë të hapur, por ne kemi nevojë që të dyja palët të veprojnë në mënyrë konstruktive”, tha ajo për EWB.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të kenë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel më 27 shkurt. Në fokus të takimit do të jetë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Siç njoftohet Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.
Borrell ka thënë se shpreson që të dy palët të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka thënë se nga ky takim presin të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.
Duke folur për çështjen e Asociacionit, kryeministri tha shpreson që diskutimet të jenë të fokusuara tek nisa franko-gjermane, dhe jo tek “interesat e njërës palë”.
“Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”- ka thënë Kurti gjatë ditës së djeshme.