Gjeneral Jashari viziton trupat e FSK-së në SHBA: Krenar për përfaqësimin në JRTC

0
71

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar trupat e FSK-së në Qendrën e Trajnimit të Përbashkët të Gatishmërisë (JRTC) në Louisiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me rastin e Ditës së Vizitorëve të Shquar (DVDay), shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë kësaj vizite, Gjeneral Jashari u adresua para pjesëtarëve të FSK-së dhe partnerëve amerikanë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit shumëvjeçar me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ai tha se ky partneritet, i ndërtuar për më shumë se një dekadë, ka kulmuar me përgatitjet për zbarkime të përbashkëta në Lindjen e Mesme.

“Kam nderin të ju drejtohem sot si Komandanti i FSK-së juve dhe partnerëve tanë të çmuar nga Garda e Ajovës. Ky është një shembull i qartë i përkushtimit tonë për të ndërtuar një forcë profesionale, të aftë dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë”, u shpreh ai.

Gjeneral Jashari falënderoi gjithashtu personelin e JRTC për mikpritjen dhe mbështetjen në këtë trajnim, si dhe vlerësoi pjesëtarët e FSK-së për disiplinën dhe profesionalizmin e treguar në një ambient operacional shumëkombësh.

Kjo është hera e parë që FSK merr pjesë në një qendër trajnuese të këtij niveli, çka përbën një arritje të veçantë për institucionin. Komandanti i FSK-së shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë pjesëmarrësit dhe rikonfirmoi përkushtimin për t’i mbështetur ata në çdo hap të misionit të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here