Gjendet vetura e vjedhur në Prizren – hajni e kishte dëmtuar bravën dhe ishte larguar pa marrë gjë

0
85
Foto: Ilustrim

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Prizren, ku një veturë e raportuar si e vjedhur është gjetur pak orë më vonë, e dëmtuar, por pa asnjë send të marrë.

Sipas informatave të Sinjalit, ankuesi A.B., kishte njoftuar Policinë se automjeti i tij VW Golf 2, ngjyrë e zezë, ishte vjedhur gjatë natës mes datave 18 dhe 19 nëntor, në rrugën Fan Noli, ku e kishte parkuar jashtë banesës. Ai e kishte parë për herë të fundit rreth orës 23:00, ndërsa mëngjesin e 19 nëntorit, në orën 06:00, vetura nuk gjendej më në vendin ku e kishte lënë.

Pas raportimit, hetuesit dhe prokurori kujdestar kishin nisur rastin si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa rasti kishte mbetur nën hetime.

Mirëpo, rreth orës 20:30, i njëjti ankues është paraqitur sërish në stacion policor duke njoftuar se vetura ishte gjetur në rrugën Edit Durham, në parkingun e banesave kolektive.

Krim-teknika ka dalë në vend dhe ka konstatuar se automjeti kishte dëmtime në dorezën e derës së pasme si dhe brava e ndezjes ishte dëmtuar, të gjitha shenja që tregojnë tentimin për ta vënë në lëvizje automjetin.

Megjithatë, në veturë nuk mungonte asnjë prej pajisjeve që ankuesi kishte deklaruar se i posedonte, duke lënë të kuptohet se autori ka hequr dorë nga vjedhja e mëtejshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, vetura i është kthyer pronarit, ndërsa rasti vazhdon të hetohet për identifikimin e autorit./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here