Pas disa ditësh kërkimesh, Policia e Kosovës ka arritur të gjejë vajzën 16-vjeçare nga fshati Peqan i Suharekës, e cila ishte raportuar si e zhdukur më 1 tetor 2025.
Siç mëson Sinjali, hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren, pas një serie veprimesh hetimore, kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen e vajzës, e cila ishte duke qëndruar në një lokacion të sigurt.
E mitura është shoqëruar në Sektorin e Hetimeve Rajonale, ku është marrë në pyetje në prani të nënës dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale. Gjatë deklarimit, ajo ka thënë se nuk dëshiron të kthehet në familje, pasi ka vendosur të jetojë e pavarur.
Pas kontrollit mjekësor, është konstatuar se nuk ka shenja dhune, ndërsa me vendim të Prokurorit kujdestar dhe punëtorit të QPS Suharekë, e mitura është dërguar në Strehimore.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e largimit të saj, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se gjendja e saj shëndetësore dhe emocionale është stabile.