Gjenden dy fëmijët e raportuar si të zhdukur në Prizren – Zbulohen bashkë me një vajzë tjetër që askush nuk e kishte raportuar

0
149

Pas më shumë se 30 orësh pasigurie, dy fëmijët e raportuar si të zhdukur në Prizren janë gjetur të sigurt, ndërkohë që gjatë lokalizimit të tyre është zbuluar edhe një e mitur tjetër, e cila nuk ishte raportuar fare si e zhdukur nga familja e saj.

Sipas informacioneve ekskluzive që ka siguruar Sinjali, më datë 11 qershor 2025, rreth orës 19:20, në Stacionin Policor në Prizren është paraqitur S. A., rreth 36 vjeçare e cila ka raportuar zhdukjen e dy fëmijëve të saj: L. A., rreth 15 vjeçar dhe M. A., rreth 13 vjeçar.

Sipas deklaratës së saj, fëmijët kishin dalë nga shtëpia më 10 qershor, rreth orës 18:00, dhe nuk ishin kthyer më. Ajo kishte provuar t’i kërkonte te të afërmit dhe shokët e tyre, por pa sukses. Sipas disa dëshmive, ata ishin parë për herë të fundit në lagjen Ortakoll rreth orës 22:00 të natës së njëjtë.

Për rastin janë njoftuar të gjitha njësitë relevante: hetuesit e stacionit, hetimet rajonale si dhe Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda në Prizren.

Lokalizohen në mesnatë – një tjetër e mitur gjendet bashkë me ta.

Burimet e Sinjalit mësojnë se më 12 qershor 2025, rreth orës 01:00 të mëngjesit, Policia është informuar nga familjarët e fëmijëve se kishin marrë një telefonatë nga L.G., rreth 40-vjeçar, i cili u kishte treguar që të shkonin për t’i marrë fëmijët pranë pompes së derivateve “Spahia Petroll” në Prizren.

Hetuesit rajonalë kanë dalë menjëherë në vendin e caktuar, ku kanë takuar të tre fëmijët e mitur, përfshirë edhe vajzën H. G., e cila nuk figuronte si e raportuar e zhdukur nga prindi i saj.

Të miturit janë dërguar menjëherë në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku janë kontrolluar nga mjeku kujdestar. Fatmirësisht, nuk janë vërejtur shenja të jashtme të lëndimeve fizike tek asnjëri prej tyre.

Pas kontrolleve, fëmijët janë kthyer pranë familjarëve të tyre. Për të gjitha veprimet e ndërmarra, është njoftuar edhe Prokurori i rastit, ndërkohë që hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes janë në vazhdim.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo detaj shtesë./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here