Përdorimi i tollumbaceve të mbushura me gazin oskid-azoti nga të rinjtë, është kthyer në një shqetësim edhe për vendin tonë.
Mjekja toksikologe, Esmeralda Thoma tregon pasojat e rrezikshme për shëndetin që mund të shkaktojë tek të rinjtë përdorimi i këtij gazi.
Thoma shpjegon se ky gaz njihet si gazi që të bën për të qeshur, por që me përdorimin e tij mund të ndryshojë edhe perceptimi për realitetin.
Ndër të tjera pasoja toksikologia rendit edhe humbjen e ekuilibrit, apo edhe paralizën e gjymtyrëve.
“Ky gaz në rrugën e përdoruesve njihet si gazi që të bën për të qeshur.
Me kalimin e kohës ndryshon perceptimi i realitetit. Po e shpjegoj në vija të trasha, nëse jashtë po bie shi, nga konsumimi i kësaj lloj droge duket sikur është diell.
Me kalimin e kohës jep humbje të ekuilibrit. Dëmton perceptimin për çdolloj situate. Sigurisht varet nga sasia që konsumohet.
Çështja e humbjes së ekuilibrit ka të bëjë me humbjen e perceptimit, pastaj shkaktojnë një ndjesi paralize në gjymtyre, që njerëzit e perceptojnë sikur kalojnë insekte të ndryshme mbi trup,” tha Thoma në studion e News24.