Gazetarja ukrainase që po qëndron në Kosovë, Daria Mescheriakova, thotë se Ukraina është pranë si kurrë më parë ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas saj, koha më e përshtatshme për njohje do të ishte kur Kosova të merr statusin kandidat për Këshillin e Evropës.
Gazetraja ukrainase, vendi i së cilës po përballet me agresionin ushtarak rus që nga 24 shkurti, thotë se fitorja e Ukrainës do të shënojë edhe fundin e ndikimit rus.
Ajo në një intervistë për KosovaPress flet edhe për situatën e brishtë mes Kosovës dhe Serbisë, për çka thekson se nuk sheh ndonjë rrezik, pasi që Serbia nuk mund të bëjë asgjë pa Rusinë, ndërkohë që kjo e fundit është e fokusuar në luftën në Ukrainë.
Ndodhur në një situatë të re globale, Mescheriakova thotë se ka dy momentume kur vendi i saj do të mund të njihte Kosovën.
“Në të vërtetë nuk do të thotë se kjo do të thotë diçka, dhe do të çojë në diçka. Kemi një situatë shumë të vështirë me Kosovën, dhe kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, presidenti ynë i atëhershëm Viktor Yushchenko, ai kishte shumë frikë nga lëvizjet mbështetëse në Krime. Por unë mendoj se nuk ishte e vërtetë, asgjë nuk do të ndodhte me Krimenë, por ai kishte frikë se po, ndërsa presidenti Yanukovych ishte plotësisht pro-rus dhe ishte e pamundur të njihej Kosova – absolutisht jo. Pastaj shpërtheu lufta, lufta e parë, kur Rusia na pushtoi dhe ata morën Krimenë dhe pushtuan Donbass-in, kështu që nuk ishte e mundur, ndërsa me këtë luftë, me Zelensky-n nuk është gjithashtu e mundur, por mendoj se tani jemi më afër se kurrë ta njohim Kosovën vetëm sepse, së pari, ne nuk jemi në anën ruse, së dyti se do t’i bashkohemi qytetërimit, dhe e treta, mendoj se momenti më i mirë për ne që ta njohim Kosovën, është ose kur të përfundojë lufta, por do të zgjasë pak, ose kur Kosovës do t’i jepet statusi i kandidatit, atëherë mendoj se do të ndodhë para se të përfundojë lufta, dhe mendoj se atëherë do ta njohim Kosovën”, thotë ajo.
Duke folur për situatën e sigurisë, gazetarja ukrainase në Kosovë thotë se nuk sheh rrezik real nga ana e Serbisë. Kjo pasi, siç thotë ajo, presidenti Aleksandar Vuçiq po kërcënon dhe dezinformon karshi Kosovës vetëm sa për të bërë shfaqje.
“Unë nuk besoj se ushtria serbe mund të bëjë diçka kundër NATO-s, pa NATO-n po, do të ishte vërtet e frikshme të qëndroja këtu, do të largohesha, por ju e keni NATO-n për një arsye. Vuçiqit i duhet vetëm kjo shfaqje, kjo është një shfaqje, një aktor, dhe ai nuk mund të bëjë asgjë me ushtrinë e tij, veçanërisht kur Rusia është në luftë me Ukrainën dhe unë nuk mund ta mbështes atë”, thotë ajo.
Gazetaret ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë në një aksion simbolik për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik, kanë deklaruar se Kosova po e lufton ashpër propagandën ruse, për çka Mescheriakova thotë se kjo luftë do të vuloset me fitoren e vendit të saj ndaj pushtuesit rus.
“Unë besoj se po, do të duhet shumë kohë, por besoj se po, sepse përfundimisht Rusia do të humbasë shumë para. Unë e di që ata do të shpenzojnë paratë e tyre të fundit për të mbështetur propagandën dhe për të përhapur dezinformata, por përfundimisht Putin do të vdesë ose do të japë dorëheqje, ose do të ndryshojë autoriteti, dhe ata nuk do të kenë aq para për të mbështetur propagandën. Pra, po, unë besoj se po, nuk do të ndodhë nesër, as për një muaj, as në një vit, por do të ndryshojë”, thotë gazetarja ukrainase.
Mescheriakova po qëndron në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”, porse tregon se kjo nuk është hera e parë e saj në vend.
“Unë kam një histori të gjatë me Kosovën, nuk është se mund të them se sapo kam lexuar për të, dhe tani e shoh me sytë e mi. Për herë të parë kam qenë këtu në vitin 2011, dhe më pas kam përgatitur doktoraturën për Kosovën për ndikimin mediatik në Ukrainë rreth luftës në Kosovë, kështu që kam udhëtuar shumë këtu. Hera ime e parë ishte në vitin 2011, kur kuptova se gjithçka që na thanë për luftën në Kosovë nuk ishte e vërtetë, dhe tregimet për këtu. Por unë kurrë nuk kam jetuar këtu, thjesht kam ardhur si një vizitë afatshkurtër për të mbledhur disa storie, për të udhëtuar pak, dhe pastaj kam për të vazhduar… Pra, dhe tani unë jetoj këtu dhe e shoh nga brenda se si është jeta. Nuk mund të them se mendimi im ka ndryshuar tani, sepse gjithmonë e kam njohur mirë Kosovën”, tregon ajo./kp/