Milot Rashica është duke e kaluar sezonin e dytë në fanellën e Besiktasit.
Për dallim nga eksperienca që e kaloi në Galatasaray për një vit, e cila ishte e jashtëzakonshme, përvoja në ekipin tjetër nga Stambolli deri tash nuk ishte prej më të mirave për përfaqësuesin kosovar.
Për këtë, gazetari turk Serdar Sarıdağ thotë se s’do të befasohej nëse ish-futbollisti i Werder Bremenit e Norwich Cityt do të largohej nga Besiktasi në këtë muaj, pasi sipas tij, kontributi i vushtrriasit tek Bardhezinjtë nuk është mjaftueshëm i kënaqshëm.
“Takimi i drejtuesve të klubit është mbajtur dje dhe aty është vendosur për lojtarët që nuk do të shiten. Të tjerët mund të shiten nëse vjnë oferta. Chamberlain e Onana janë prioritete, ndërsa Immobile është po ashtu në listë, por pa humbur para. Musrati, Masuaku, por edhe Rashica. Shikoni, mos u befasoni nëse largohet Rashica. Rashica po luan atje, por krahu i djathtë i sulmit nuk po shihet gjëkundi. Nuk do të surprizohesha nëse Rashica shkon dhe Adama Traore vjen”, deklaroi gazetari turk.
28 vjeçari ka kontratë me Besiktasin deri në vitin 2027.
Ai i ka zhvilluar 20 ndeshje në këtë sezon me ekipin turk, ndërsa e ka shënuar një gol në Superligën turke dhe i ka bërë pesë asistime, 4 në Super Lig dhe një në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Kartoni i Rashicës, sipas faqes së specializuar për vlerën e futbollistëve – Transfermarkt, vlen 7,5 milionë euro./Express