Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se për të përfunduar bllokada në kuvend duhet ose zgjidhje me marrëveshje të drejtë ose zgjedhjet.
Sipas tij zgjedhjet janë mënyra më e drejtë, më legjitime dhe më paqësore.
Gashi ka thënë se Kosova ndodhet në një bllokadë politike që buron nga një pabarazi e thellë “njëra palë ka monopolin e propozimit dhe tjetra ka të drejtën legjitime të votës”.
“Por nuk ka barazi. Nuk ka kompromis. Ka vetëm arrogancë. Partia që kontrollon propozimin për Kryetarin e Kuvendit, dëshiron ta realizojë qëllimin e saj pa asnjë kompromis politik. Kjo është qasje përjashtuese, jo frymë demokratike. Dhe kjo është e papranueshme për ne – dhe për çdo qytetar që beson në barazi politike. Shprehja e Kryeministrit “Hajt, se këta dorëzohen…” nuk është as strategji, as vizion. Është përçmim. Dhe institucionet nuk mund të udhëhiqen me përçmim. Si përfaqësues i qytetarëve, unë nuk mund të hesht. Nuk jemi këtu për të nënshtruar njëri-tjetrin. Jemi këtu për t’i shërbyer Kosovës. Dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë me përgjegjësi, integritet dhe vullnet të qartë për zgjidhje. Kur arroganca bëhet rregull – qytetari duhet të rikthehet si gjykatësi kryesor. O do të ketë zgjidhje me marrëveshje të drejtë, Ose le të flasë qytetari! Zgjedhjet janë zgjidhja burimore në çdo demokraci. Ato janë mënyra më e drejtë, më legjitime dhe më paqësore për t’i dhënë fund kësaj bllokade të dëmshme.”