Nënkryetari i Prizrenit, Kujtim Gashi, së bashku me zyrtarë të ekzekutivit, ka përkujtuar me respekt dëshmorët Xhemshit, Xhylbehar dhe Hajrim Badallaj, të rënë më 28 mars 1989 në Zhur, shkruan 04 Online.
Ai theksoi se sakrifica e tyre ishte pjesë e rrugëtimit për liri dhe pavarësi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të saj.
“Me rastin e përvjetorit të demonstratave të 28 marsit 1989, sot, së bashku me zyrtarë të ekzekutivit, me përulje dhe respekt kujtova dhe nderova dëshmorët e kësaj dite historike në Zhur – Xhemshit, Xhylbehar dhe Hajrim Badallaj – të cilët u flijuan për liri.
Sakrifica e tyre ishte pjesë e një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë, që kulmoi me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Çdo hap drejt lirisë u shënua me gjak, sakrificë dhe përkushtim të madh. Populli ynë, me vendosmëri të palëkundur, nuk u dorëzua kurrë përballë padrejtësisë dhe represionit.
Sot, duke përkujtuar të rënët, jo vetëm që nderojmë heroizmin e tyre, por edhe marrim mbi vete përgjegjësinë për ta ruajtur dhe forcuar lirinë për të cilën ata dhanë jetën.
Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” nënkryetari i Prizrenit Kujtim Gashi./04 Online