Gabimet që folën më shumë se programi!

0
110

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk shënuan thjesht një rezultat elektoral për LDK-në, por nxorën në pah një krizë më të thellë identitare dhe politike. Shkaqet e rënies nuk duhen kërkuar vetëm te kundërshtarët politikë apo te rrethanat e jashtme, por mbi të gjitha te disa deklarata dhe qëndrime që krijuan konfuzion, mospërputhje dhe distancë me elektoratin tradicional.

Deklarata se për LDK-në; “nuk është problem Lista Serbe” ishte një nga momentet më domethënëse të kësaj shkëputjeje. Në një realitet ku Lista Serbe perceptohet gjerësisht si instrument politik i Beogradit, relativizimi i rolit të saj u përjetua nga shumë qytetarë si mungesë ndjeshmërie ndaj sovranitetit dhe sigurisë së shtetit. Për një parti që historikisht është identifikuar me shtetndërtimin dhe institucionet, ky qëndrim u duk jo vetëm i gabuar politikisht, por edhe i huaj ndaj vetë trashëgimisë së saj.

Akoma më problematike ishte barazimi i ndjekjes së kriminelëve serbë në veri të Kosovës me “metodat e Millosheviçit”. Një deklaratë e tillë jo vetëm që relativizon krimin dhe drejtësinë, por krijon një ekuivalencë morale të rrezikshme mes një shteti që zbaton ligjin dhe një regjimi që ndërtoi pushtetin mbi dhunën dhe spastrimet etnike. Për qytetarët, kjo nuk ishte thjesht një lapsus retorik, por një sinjal konfuzioni ideologjik dhe mungese qartësie në raport me të kaluarën dhe drejtësinë.

Nga këto qëndrime buron një pjesë e madhe e humbjes së besimit. Elektorati i LDK-së, tradicionalisht konservator në vlera dhe i ndjeshëm ndaj temave të shtetit, ligjit dhe dinjitetit kombëtar, nuk e gjeti më veten në këto mesazhe. Në vend të qartësisë dhe parimeve, pa relativizim dhe ekuivokë.

Rënia e LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk erdhi si pasojë e një fushate të dobët teknike, por si rezultat i një krize diskursive dhe morale. Kur një parti humb busullën në çështje themelore, votuesi e ndjen i pari. Dhe vota, në fund, bëhet forma më e qartë e reagimit.

Nëse LDK synon rikthimin, gabimet duhet të pranohen pikërisht aty ku filluan: te fjalët që minimizuan problemet reale dhe te krahasimet që fyen kujtesën kolektive. Sepse në politikë, shpeshherë, nuk humbet ai që flet pak, por ai që flet gabim.

P.s.

Jam i bindur se Presidenti Ibrahim Rugova do të distancohej nga këto deklarata, të bëra në emër të LDK-së.

Shkruan: Nderim GASHI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here