‘Futbolli është për të gjithë!’ – Sergio Aguero kritikon Real Madridin për reagimin pasi Vinicius Junior nuk e fitoi “Topin e Artë” ndërsa legjenda e Man City thotë se Rodri e meritonte titullin ‘ e më të mirit në botë’.
Ish-sulmuesi i Manchester City, Sergio Aguero, kritikoi ashpër Real Madridin për reagimin e tyre pasi Vinicius humbi përballjen me Rodrin për ta fituar çmimin “Topi i Artë”.
Real Madrid nuk e priti mirë lajmin që Vinicius Jr nuk e fitoi “Topin e Artë” ndaj Rodrit. Klubi spanjoll lëshoi një deklaratë të ashpër duke akuzuar UEFA-n dhe France Football për “mungesë respekti” dhe bojkotoi ceremoninë në Paris. Shoku i tij i ekipit, Eduardo Camavinga, gjithashtu kritikoi “politikat e futbollit” pasi pa Vinicius Jr të humbiste çmimin kryesor, ndërsa tifozët e cilësuan fitoren e Rodrit si “vjedhjen më të madhe në historinë e futbollit.”
Rodri fitoi “Topin e Artë” pas një viti të mbushur me trofe, ku ndihmoi Spanjën të fitojë Euro 2024 dhe fitoi Premier League, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube me Manchester City. Kjo është hera e parë që një lojtar i Manchester City fiton çmimin prestigjioz, dhe legjenda e klubit, Aguero, mendon se 28-vjeçari e meriton të quhet lojtari më i mirë në botë.
“Shumë i merituar. Rodri është lojtari më i mirë në botë. Futbolli është për të gjithë, jo vetëm për Real Madridin, ata janë shumë të privilegjuar”, tha Aguero.
Një fakt interesant për Rodrin është se ai ka humbur vetëm një nga 85 ndeshjet e fundit për klubin dhe kombëtaren. Humbja e tij e vetme në këtë periudhë ishte ndaj Manchester United-it të Erik ten Hag në finalen e FA Cup në Wembley në maj./Express