Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes dramatike ndaj Interit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, duke e cilësuar rezultatin si të padrejtë dhe duke vënë në pikëpyetje disa vendime të gjyqtarëve, shkruan 04 Online.
Katalanasit u eliminuan pas një ndeshje epike që përfundoi 4-3 për Interin pas vazhdimeve, duke çuar rezultatin total në 7-6 në favor të skuadrës italiane. Një përfundim që la shumë hidhërim në kampin blaugrana.
“Jemi të gjithë të zhgënjyer, pasi kemi dhënë kaq shumë në këtë ndeshje. Disa vendime 50-50 shkuan të gjitha në favor të Interit, por kështu shkojnë gjërat”, tha Flick pas ndeshjes.
Pavarësisht eliminimit, trajneri gjerman u përpoq të ruajë optimizmin, duke premtuar një rikthim të fuqishëm në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve./04 Online