Shqiptarët sërish janë faktorët kryesorë politikë në Mal të Zi.
Janë dy arritje kryesore të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, që e bëjnë formimin e çfarëdo qeverie të re në Mal të Zi, ose krejt të pamundshme, ose të paqëndrueshme.
E para, koalicioni “Guximi vlerësohet”, i bashkëkryesuar nga Dritan Abazoviq, ka fituar 12 deputetë, në Kuvendin prej 81 ulësesh në Mal të Zi. Ky është suksesi më i madh zgjedhor i ulqinakut, i cili në zgjedhjet e kaluara parlamentare kishte marrë vetëm 4 deputetë (por kjo nuk e pengoi atë që të arrijë të bëhet edhe kryeministër i vendit).
E dyta, për herë të parë në historinë e parlamentarizmit malazez, në Kuvendin e ri kanë fituar ulëse plot 6 shqiptarë: Dritan Abazoviq nga URA, Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj nga “Forumi Shqiptar”, Genci Nimanbegu nga “Aleanca Shqiptare”, Drita Llolla dhe Mehmed Zenka që kanë garuar brenda listës së koalicionit të udhëhequr nga partia e ish-Presidentit Gjukanoviq, SDP.
E vërtetë, janë tri koalicionë të tjera që ia kanë dalë të fitojnë më shumë vota se ai i Abazoviqit, si dhe Partia Boshnjake që ka fituar 6 mandate deputetësh, por konstelacioni i forcave në skenën e tashme politike malazeze vështirë t’i injorojë shqiptarët. T’i shkojmë me radhë.
Asnjë parti ose koalicion nuk ka fituar mjaftueshëm mandate sa t’i krijojë institucionet e vetme.
Lëvizja “Evropa Tash”, e formuar në gusht të vitit të kaluar, befasoi për të keq. Ndonëse pritej që pas suksesit në zgjedhjet lokale në kryeqytetin Podgoricë dhe sidomos me fitoren e postit të presidentit të vendit, të merrte një të tretën e të gjitha votave, rezultati i së dielës ishte ai që sinjalizoi ndaljen e hovit. Milojko Spajiq u ndal në “vetëm” 24 deputetë, ose vetëm 3 më shumë se sa koalicioni i partisë së ish-presidentit Gjukanoviq.
Partitë proserbe, të mbledhura në koalicionin “Për të ardhmen e Malit të Zi”, po ashtu u ndalën në 14 deputetë. Nga partitë e tjera të pakicave, pos shqiptarëve dhe boshnjakëve, vetëm kroatët ia dolën ta fitojnë një deputet. Dhe kjo është pasqyra e parlamentit të ardhshëm të Malit të Zi.
Fituesi i zgjedhjeve, Spajiq, ka thënë se do të bëjë koalicion vetëm me forcat proevropiane, por ka përjashtuar rreptësisht mundësinë e koalicionit me DPS-në e Gjukanoviqit, që i bie se nuk llogarit në 21 deputetët e tyre.
Në anën tjetër, partitë proserbe vazhdojnë të jenë kundër Malit të Zi të pavarur dhe kundër NATO-s – për ç’gjë edhe shumica e shteteve perëndimore janë kundër që ata të jenë pjesë e qeverisë së re – së këndejmi, nuk mund të llogarisë as në 14 mandatet e tyre.
Ku do t’i gjejë Spajiq partnerët që janë edhe properëndimorë, edhe për Malin e Zi të pavarur, edhe për marrëdhënie të mira me fqinjët?
Mbetet një adresë: te Dritani dhe te shqiptarët. Më saktësisht, te koalicioni “Guximi vlerësohet” me 12 deputetë dhe dy koalicionet shqiptare me 3 deputetë. Për ta bërë shumicën, që është 41 plus deputetë, këtu do të duhej edhe mbështetja e boshnjakëve, e mbase edhe të deputetit kroat, me ç’rast do të krijohej një shumicë e qëndrueshme prej 45 deputetëve.
Në asnjë rast tjetër, nuk shihet se do të mund të formohet një qeveri e qëndrueshme në Podgoricë, e cila do të kishte përkrahjen ndërkombëtare dhe do të mund të funksiononte në parlament.
Së paku jo, në qoftë se të gjithë deputetët do t;iu mbeten besnikë koalicioneve me të cilat kanë garuar në zgjedhje.
E kjo situatë do të duhej t’i bënte forcat politike të udhëhequra nga shqiptarët “King Makers” të qeverisë së ardhme!
Shkruan: Adriatik KELMENDI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online