Barcelona u rikthye te fitorja pas humbjes në “El Clasico” fundjavën e kaluar, duke mposhtur Elchen me rezultat 3-1 të dielën mbrëma. Golat nga Lamine Yamal, Ferran Torres dhe Marcus Rashford siguruan që tre pikët të mbeteshin në Kataluni.
Sipas Diario AS, trajneri Hansi Flick dha vlerësimin e tij për ndeshjen, duke pranuar se ajo nuk ishte aspak e lehtë:
“Pashë disa gjëra që i bëmë mirë, por gjithashtu duhet të përmirësohemi. Duhet të luftojmë. Sot kishim përballë një kundërshtar që donte topin dhe nuk ishte e lehtë. Duhej të bënim presion dhe e bëmë, ndaj shënuam dy golat e parë dhe krijuam më shumë raste.”
Barcelona pati vetëm 49% zotërim topi në “Estadi Olímpic Lluís Companys”, por Flick nuk e pa këtë si shqetësim – megjithëse pranoi se aktualisht nuk ka të gjithë lojtarët e duhur për të luajtur sipas stilit të tij ideal.
“Nuk është e vështirë të kesh kontroll edhe pa Pedrin. Mund ta bëjmë edhe këtë. Pedri është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe duam ta kemi në çdo ndeshje, por pa të duhet ta menaxhojmë situatën. Mund të përmirësohemi në shumë gjëra, dhe do ta bëjmë. Janë tre pikë të tjera dhe do të vazhdojmë përpara.
“Nuk është e lehtë, kemi shumë lojtarë që s’kanë mundur të luajnë në ndeshjet e fundit. Na mungon cilësia. Dy seancat e fundit stërvitore kanë qenë shumë të mira, ndoshta më të mirat e këtij sezoni. Duhet të flasim për zotërimin e topit – nuk ishim aq mirë në këtë aspekt. Më e rëndësishmja janë tre pikët. Kemi bërë një hap përpara dhe duhet të jemi pozitivë.”
Flick dha edhe një përditësim për gjendjen fizike të Lamine Yamalit, pas paraqitjes së tij me gol:
“Ai duhet të menaxhojë lëndimin e tij. Të stërvitet, të marrë trajtimin e duhur. Është një hap i mirë për të. Nuk mund të themi që është 100% gati. Duhet ta menaxhojmë me kujdes.”
Trajneri gjerman foli gjithashtu me shumë fjalë pozitive për Fermin Lopez, i cili ishte ndër më të dalluarit në fitoren ndaj Elches:
“Ai bëri shumë gjëra të mira, por si gjithë ekipi. Nuk është ende 100% dhe duhet të përmirësojë disa gjëra, por ashtu si të gjithë. Në ndeshjet e fundit ka qenë gjithmonë i përfshirë në rastet dhe golat.”














































