Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Florian Plettenberg nga “Sky Sports”, Hoffenheim është shumë pranë zgjatjes së kontratës me sulmuesin shqiptar Fisnik Asllani, shkruan 04 Online.
22-vjeçari kaloi sezonin 2024/25 në huazim te skuadra gjermane Elversberg, ku realizoi një paraqitje mbresëlënëse me 18 gola dhe 8 asistime, duke qenë një prej faktorëve kryesorë në arritjen e klubit deri në fazën “play-off” për ngjitjen në Bundesliga. Edhe pse Elversberg u eliminua nga Heidenheim në ndeshjet e “play-off”-it, Asllani spikati me një gol dhe një asistim, duke lënë një gjurmë të fortë në performancën e skuadrës.
“Sky Sports” raporton se marrëveshja për rinovimin e kontratës së tij përtej vitit 2026 është thuajse e përmbyllur. Pas një sezoni zhgënjyes për Hoffenheim në elitën e futbollit gjerman, drejtuesit janë të vendosur të ndërtojnë një projekt të ri për edicionin e ardhshëm, ku Fisnik Asllani pritet të ketë një rol të rëndësishëm në repartin ofensiv të skuadrës nga Sinsheim./04 Online