Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se prej sot ka nisur procesi i aplikimit për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2025/2026. Aplikimi bëhet përmes platformës zyrtare e-Kosova.
MAShTI thekson se këtë vit procedura do të jetë më e thjeshtuar, duke pasur parasysh që të dhënat bankare të prindërve janë aktive nga vitet e kaluara.
Nxënësit nga klasa I deri në klasën V do të përfitojnë nga 80 euro për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.
Po ashtu, 80 euro do t’u ndahen edhe nxënësve nga klasa VI deri në klasën IX, por këto mjete do të shfrytëzohen për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore shtesë.
MAShTI ka bërë të ditur se për nxënësit e klasave VI-IX, tekstet shkollore nuk do të blehen, por do të përdoren ato ekzistuese nga gjenerata e kaluar, në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 13/2016, siç është praktikuar edhe vitin e kaluar.
Të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse, ndërsa pagesat do të transferohen në llogaritë bankare të prindërve, njësoj si në dy vitet e fundit.
MAShTI gjithashtu njofton se Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar me kohë për këtë proces dhe u uron të gjithë nxënësve një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor.
Aplikoni tani përmes: ekosova.rks-gov.net